30/06/2022
22.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në Universitetin e Tetovës u përurua “Blloku” i Prof. Dr. Isuf Kalos

Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, mjeku i njohur nga Republika e Shqipërisë, Prof. Dr. Isuf Kalo e përuroi librin e tij “Blloku”. Në këtë botim, autori pasqyron  kujtime, ngjarje, reflektime, duke treguar atmosferën dhe jetën e banorëve të bllokut. Gjatë promovimit, vetë autori theksoi  se ky libër është thjeshtë rrëfimi i një mjeku, që ka qenë shumë pranë personazheve të bllokut.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, për librin në fjalë tha se lexuesi gjen gërshetimin perfekt të mjekut të shkathtë, të intelektualit elitar, si dhe shkrimtarin elegant, i cili përmes një narracioni të veçantë dhe një stili të përzgjedhur, me kujdes arrin ta fusë lexuesin në kupolën e Bllokut, nëpër korridoret, kulisat dhe zyrat plot e përplot me mistere dhe ku mund të hynte vetëm mjeku. “Natyrshëm, sikurse ndodh edhe me çdo vepër tjetër, libri me tregime “Blloku” dikujt edhe mund të mos i pëlqejë, por profesor Kalo edhe vetë shprehet se çdonjëri mund të ndajë një mendje tjetër, sepse ky në fund të fundit është dhe kushti i demokracisë që e shpreh edhe Roza Luksemburg; pra, pluralizmi i mendimit për atë që na ndodh, për atë që përjetojmë dhe për atë që ndajmë. Libri me rrëfime ”Blloku” i profesor Isuf Kalos është vlerësuar lartë nga mjekë të shquar shqiptarë, shumë nga ata edhe kolegë të tij, disa intelektualë të shquar, si Ismail Kadare, Fatos Tarifa, opinionistë, apo edhe politikanë. Disa libra nuk janë shkruar vetëm për të na mësuar diçka, por edhe për të na treguar se autori ka qenë njeri i ditur”, deklaroi dekani i Fakulteti të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Kastrioit Haxhirexha.

Po ashtu, Prof. Dr. Isuf Kalo u prononcua pse botimi i tij titullohet “Blloku, rrëfimi i mjekut personal të Enver Hoxhës”, dhe sipas tij  më së paku flitet për atë (E.Hoxhën), por më shumë për personazhet që ishin afër tij, siç ishin Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.

“Rrëfimi im në këtë libër është fokusuar më shumë te dy protagonistë: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Kjo e fundit, sepse pati marrëdhënie të ngushta pune dhe miqësi të gjatë, të sinqertë me të. Përse tek ata dhe jo te Enveri, të cilin e kam njohur nga afër, si mjek personal i tij, gjatë 12 viteve të fundit të jetës? Arsyeja është se dëshmitë në këtë libër shtrihen edhe më tej, në kohën kur ai nuk ishte gjallë. Sidoqoftë, Enveri përmendet shpesh në këtë libër. Po ashtu, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, etj., pasi edhe ata i kam takuar dhe kam biseduar me ta, si mjek. Veç kësaj, për Enverin është folur e shkruar gjerësisht, gjetkë. Ai ka shkruar vetë libra për jetën dhe veprimtaritë e tij. Kanë shkruar për të autorë shqiptarë dhe të huaj, si edhe Nexhmija, Ramizi, apo të tjerë ish-bashkëpunëtorë të afërt. Ndërsa për Ramiz Alinë, përveç disa kujtimeve të përcipta të tij, fare pak është shkruar. Ai ka mbetur si i harruar, i njohur sipërfaqësisht. Ndoshta, për shkak se ai vetë pat preferuar më shumë të fshihej sesa të dukej”, theksoi mes tjerash autori i librit, Prof. Dr. Isuf Kalo.

Promovimi i librit të lartpërmendur u përmbyll me një bashkëbisedimin mes autorit, studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë veprimtari të rëndësishme arsimore – shkencore.

Zyra për Informim

Të fundit