26/04/2024
3.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Një peshkatar dha dëshmi për rastin “Monstra”: Pamë një trup dhe u lajmëruam në 192

Peshkatari Zoran Vellkovski, i cili dëshmoi në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Monstra”, theksoi që natën kritike të 12 prillit 2012, së bashku me shokët ishin drejtuar kah Liqeni i Smilkovës për të peshkuar, por nga dritat e automjetit diku në 40 metra kanë parë një trup të njeriut të shtrirë, njofton Portalb.mk.

– Pamë automjet. Ishte errët. Ne komentuam që janë peshkatarë. Mirëpo, pasi e pamë trupin na kapi paniku dhe u kthyem nëpër rrugën e vjetër deri në rrugën e Lubetenit. Aty u ndalëm dhe u lajmëruam në numrin 192, e denoncuam rastin. Policia na tha të qëndrojmë aty. Erdhi një polic me veshje civile, mendoj se ishte me automjet “Opel Astra”. Na tha ta çojmë deri te vendi. Kur u afruam i treguam me dorë drejtimin kah vendi. Shkoi dhe u kthye. Na tha të qëndrojmë dhe të mos lëvizim, tha dëshmitari Vellkovski.

Përveç kësaj dëshmitari plotësoi që ndërkohë atë mbrëmje në anën tjetër të Liqenit të Smilkovës, ka dalë një automjet “Golf 2”, ngjyrë e kuqe. Polici, sipas dëshmitarit Vellkovski, e ka legjitimuar atë, por theksoi që nuk mban mend sa njerëz ka pasur në veturë.

Gjithashtu, dëshmitari ka thënë që më 11 prill, një ditë para vrasjes së pesëfishtë, në Liqenin e Smilkovës, ka qenë i pranishëm një automjet Be-eM-Ve, ngjyrë hiri.

– Nuk e di sa persona kishte. Na u afruan, na kërkuan bukë. E pashë që nuk kishin përgatitjen e duhur për peshkim. Mu duk e dyshimtë dhe i thashë shokut të shkojmë. Asnjëri nga të pranishmit nuk ishte nga Be-eM-Ve-ja, theksoi dëshmitari Vellkovski.

Ndërkohë në sallën e gjyqit ishte i pranishëm edhe dëshmitari Ilija Smilevski nga MPB-ja, i cili kërkoi nga Gjykata të dërgojë kërkesë te ministri, që t’i lejojë të dëshmojë për këtë ngjarje. Ai theksoi që në atë periudhë ka qenë kryeshefa për mbrojtje nga terrorizmi, përkatësisht tani është kryeshefa për hetime të veprave terroriste. Është paraparë që dëshmitari Smilevski, të dëshmojë më 24 mars.

“Monstra”
Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.portalb.mk/

Të fundit