26/04/2024
12 C
Tetovo

Të tjera lajme

Nuk ka raste të reja me korona virus, po testohen dy mjekë që u kthyen nga Madridi

– Gjatë 24 orëve të kaluara nuk ka pacientë të rinj me indikacione të koronavirusit. Pacientja e vetme te e cila ishte konfirmuar koronavirus është mirë, është në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe tashmë tre ditë nuk ka temperaturë, që domethënë se situata po stabilizohet dhe ajo po shërohet. Karantina, gjegjësisht izolimi po realizohet mirë dhe pa probleme. Nuk ka probleme në pjesën e mbikëqyrjes policore.

Këtë në konferencën e sotme për medie e kumtoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili theksoi se epidemiologët janë në kontakt të rregullt me njerëzit në izolim shtëpiak.

“Ka sasi të mjaftueshme të testeve, afër 1.000. Deri më tani janë testuar 13 persona, të gjitha testet ishin negative, dhe situata edhe më tutje me kujdes po ndiqet. Vijon furnizim i mjeteve dezinfektuese për shkollat dhe për përmbushjen e rezervave prej ku për momentin po dërgohen deri te institucionet publike shëndetësore, deri te MPB-ja, për vendkalimet kufitare…”, tha Filipçe.

Ai bëri të ditur se gjatë kësaj fundjave në vend arritën mbi 10 autobusë në VK “Tabanoc”, ndërsa të premten edhe dy aeroplanë në Shkup dhe në Ohër. Të gjithë udhëtarët janë pyetur sipas protokollit të konfirmuar dhe nuk ka të dhëna se dikush është i sëmurë ose ishte në kontakt me ndonjë të sëmurë në rajonet e rrezikuara në Italinë e Veriut.

“Nga OBSH-ja dje morëm njoftim se dy mjekë nga Maqedonia e Veriut ishin në kongres në Madrid, ndërsa te një nga ligjëruesit ishte konfirmuar se ishte i sëmurë nga koronavirusi. Dy mjekët ishin kthyer në vend të shtunën, dje ishin në shtëpi dhe përveç se me familjarët nuk kishin kontakt me persona të tjerë. Ata sot do të testohen në Klinikën Infektive dhe do t’iu përcaktohet mbikëqyrje shëndetësore, në kushte shtëpiake, në kohëzgjatje prej dy javëve”, tha Filipçe.

Duke pasur parasysh se mjekët nuk kishin kontakt të drejtpërdrejtë me ligjëruesin e sëmurë, supozohet se është i vogël rreziku ata të infektohen ose të jenë transmetues. Por, në secilin rast do të priten rezultatet.

Sipas tij, nuk do të vazhdohet rekomandimi për mosmbajtjen e tubimeve publike që është në fuqi deri më 6 mars, nëse nuk ka të sëmurë të rinj dhe janë në gjendje të mirë personat të cilët janë në izolim shtëpiak.

“Nëse situata mbetet e pandryshuar gjegjësisht pa raste të reja të të sëmurëve nga koronavirusi, sipas situatës të personave të cilët janë karantin shtëpiak, do të sillet vendim adekuat. Nëse nuk ka të sëmurë të rinj dhe njerëzit në karantin nuk kanë simptoma rekomandimi nuk do të vazhdohet, por situata do të ndiqet në bazë ditore dhe do të vendoset sipas asaj”, tha Filipçe, duke vlerësuar se për momentin nuk ka nevojë nga masa më radikale.

Ai informon se janë kah fundi kontrollet e barnatoreve në lidhje me zërat për çmime të rritura të mjeteve për mbrojtje. Sipas kontrolleve të deritanishme nuk ka rritje të çmimeve, por situata e tërësishme do të dihet pas përfundimit të kontrolleve”, theksoi ministri i Shëndetësisë.Zhurnal.mk

Të fundit