26/04/2024
12.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Nxehet” skena politike para zgjedhjeve parlamentare, pritet të ketë më shumë opsione!

Skena politike në Maqedoninë e Veriut po shkon drejt ndryshimeve drastike dhe të papritshme, me fjalë të tjera po “nxehet skena tashmë një vit para zgjedhjeve të rregullta parlamentare, duke u krijuar edhe më shumë opsione për votuesit përkundër këtyre ekzistuese. Kryetarët e partive opozitare nga blloku shqiptar Lëvizja Besa dhe Alternativa, Bilal Kasami dhe Afrim Gashi kanë pasur një takim, i cili sipas burimeve nga të dyja partitë, është një përpjekje fillestare për të “shkrirë akullin” mes dy partive në drejtimin e një bashkëpunimi të mundshëm më serioz në të ardhmen. Dhe, ky takim shihet si nismë drejt konsolidimit të opozitës shqiptare përballë dy partive tjera shqiptare në pushtet, BDI-së dhe ASH-së. Prandaj, në periudhën vijuese deri vitin që vjen kur edhe do të mbahen zgjedhjet parlamentare pritet të ndodhin zhvillime interesante në skenën politike. Sepse, kemi të bëjmë me një numër të madh të pakënaqurve që disa janë tërhequr nga partitë politike e disa të tjerë funksionojnë si fraksion, disa kanë paralajmëruar edhe formim të partive të reja e kështu me radhë. Pra, sikurse në skenën politike shqiptare ngjashëm edhe atë maqedonase do të ndodhin ndryshime dhe do të krijohen opsione të reja. E rëndësishme është se cilat do ndryshime që ndodhin të shoqërohen me prurje të reja dhe jo vetëm me figura të njëjta që tashmë e disa vite janë të konsumuara, shkruan Zhurnal.

Opozita shqiptare drejt bashkimit –

Kryetarët e partive opozitare nga blloku shqiptar Lëvizja Besa dhe Alternativa, Bilal Kasami dhe Afrim Gashi kanë pasur një takim, i cili sipas burimeve nga të dyja partitë, është një përpjekje fillestare për të “shkrirë akullin” mes dy partive në drejtimin e një bashkëpunimi të mundshëm më serioz në të ardhmen. Ky është takimi i parë mes dy krerëve të partive në më shumë se katër vjet prej kur i ndanë edhe rrugët e tyre, sipas asaj që dihet deri tani për publikun.

Sipas të njëjtave burime të cilave u referohet TV24, takimi nuk ka qenë për bashkëpunim thelbësor, por vetëm takim fillestar, pasi të dyja palët kanë paralajmëruar disa herë mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, qëllimi i të cilit do të ishte dhënia fund e qeverisjes së BDI-së dhe partia e Ali Ahmetit të kalojë në opozitë. TV 24 u dërgoi pyetje të dyja palëve lidhur me takimin. Sipas përgjigjes që kanë marrë nga Besa, takimin as e konfirmojnë e as e mohojnë.

“Lëvizja Besa është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike opozitare. Komunikimi dhe takimet mes partive opozitare janë normale”, thanë nga Besa në përgjigje. Përgjigje më e drejtpërdrejtë ka ardhur nga partia e Afrim Gashit, Alternativa, ku kanë thënë se lideri i tyre po takohet me disa autoritete politike dhe se sigurisht që ka kontakte mes Alternativës dhe Besës.

“Sigurisht që ka kontakte mes Alternativës dhe Besës dhe duhet të presim nëse do të ketë bashkëpunim dhe si do të duket. Si parti që qëndron për një lloj tjetër vlerash, tema kryesore e së cilës është lufta kundër korrupsionit, por edhe integrimi evropian, do të donim të gjenim partnerë me të cilët mund të bashkëpunonim për këto parime. Të gjithë jemi dakord që është koha që edhe te shqiptarët të ketë ndryshime. Është koha për një alternativë të re”, kanë thënë nga Alternativa e Gashit.

Gjithashtu edhe Orhan Murtezani nga Alternativa ka thënë se qytetarët janë të vendosur që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të ndodhin ato, kësaj qeverie t’ia dorëzojnë faturën për qeverisjen e papërgjegjshme, shpërdoruese dhe korruptive duke i vënë pikën mundësisë për rikthimin e tyre në Qeveri.

“Aktorët kryesorë në qeveri kanë shumë arsye për t’u frikësuar. Njëra është sigurisht frika nga propozimi i Alternativës për të parandaluar vjetërsimin e veprave penale nga korrupsioni politik. Prandaj, një sërë zyrtarësh të BDI-së dhe LSDM-së po planifikojnë të parandalojnë potencialin për konsolidim të opozitës shqiptare. Megjithatë, asgjë nuk mund t’i ndalë proceset që janë të patjetërsueshme për ndërrimin e qeverisë” tha Murtezani, duke aluduar në një bashkëpunim mes Alternatives, Besës si dhe grupit të zjarrit që tashmë po funksionon si fraksion përbrenda BDI-së.

Ndryshime pritet të ketë edhe në skenën politike maqedonase –

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitriev, ka paralajmëruar formimin e një partie të re. Ai ishte pjesë e LSDM-së, por pasi partia e tij nuk e mbështeti edhe për një mandat të dytë, ai garoi si i pavarur dhe u zgjodh për kryetar komune. Dimitriev në shumë qytete ka krijuar strukturat e asaj që ai e ka quajtur “Lëvizje për Ndryshime Progresive”, e cila, sipas tij, mund të shndërrohet në parti dhe si e pavarur të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndërsa, ish-ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e socialdemokratëve, Nikolla Dimitrov, më 27 prill ka promovuar organizatën joqeveritare “Qendra Ballkanike për Politika Konstruktive – Zgjidhje”. Njohësit e çështjeve politike këtë e shohin si mundësi për formimin e një partie politike, përderisa vetë ish-ministri Dimitrov tha se do të angazhohet për shtet funksional.

Pra, po tundet skena aktuale politike me prurje dhe krijime të reja si në skenën politike shqiptare ngjashëm edhe në atë maqedonase. Flitet edhe për formim të partive të reja, e krejt këto ngjarje pritet të ndodhin në periudhën në vijim, gjegjësisht deri në vitin që vjen, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. /Zhurnal.mk

Të fundit