26/04/2024
12 C
Tetovo

Të tjera lajme

Saiti: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese doemos të respektohen

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet. E lexova deklaratën e tyre dhe është e vërtetë, ato nuk përcaktojnë pagën, por kanë korrigjuar dispozita që sipas tyre konsiderojnë se mund të korrigjohen, deklaroi kryetari i Shoqatës së gjyqtarëve, Xhemali Saiti.

Në pyetjen e gazetarëve në kuadër të Konferencës së sotme të gjyqtarëve 2023, me rastin e 31 Marsit – Ditës së gjyqësorit, Saiti theksoi se çështja është nëse shteti për momentin ka kapacitete ekonomike për t’i përmbushur ato kërkesa.

“Kjo mënyrë e përllogaritjes së pagës e cila ekzistonte deri më tani është bllokuar me një dispozitë e cila duhej të ketë karakter të përkohshëm, por ajo dispozitë ka që zbatohet tashmë 15 vite. Çështje tjetër është se a ka për momentin shteti kapacitet ekonomik për t’i përmbushur këto kërkesa, atë çështje me siguri e dinë njerëz nga qeveria dhe mund të përgjigjen”, tha Saiti.

Ai shprehu edhe indinjatën e tyre për mospërmbushjen e obligimeve të Qeverisë ndaj gjyqtarëve lidhur me rritjen e pagave.

“Ju e dini se jemi në një proces të gjatë negociatash me Qeverinë, duke hequr dorë nga kërkesat tona legjitime që të miratohet Ligj për pagat e gjyqtarëve i cili një ditë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese u dorëzua në Komisionin para Kuvendit dhe u bllokua përmes amendamenteve, pastaj pasoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, sqaroi Saiti, duke shtuar se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet ta përmbushin obligimin e tyre.

Gjykata Kushtetuese me vendim për shfuqizimin e dy neneve të Ligjit për paga dhe kompensim të funksionarëve, mundësoi rritjen e pagave të funksionarëve shtetërorë për 78 për qind. Me vendimin, përveç kryeministrit, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe të gjithë kryerësve të funksioneve publike përfshihen edhe gjyqtarët kushtetues.

Të fundit