Së paku 80 për qind e ambasadorëve në të ardhmen do të jenë diplomatë të karrierës – Tv Koha
Lajmi i Ditës Maqedoni

Së paku 80 për qind e ambasadorëve në të ardhmen do të jenë diplomatë të karrierës

Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov sot në seancë qeveritare do të dorëzojë kandidaturën e këshilltarit të deritanishëm të kryeministrit Zoran Zaev për politikë të jashtme, Dane Taleski për postin e ambasadorit në NATO.

Siç njoftuan nga Qeveria pardje Taleski është kandidati që do të plotësojë këtë post kyç në momentin kur vendi së shpejti pritet të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, por megjithatë do të mbeten të paplotësuara më shumë pozicione të ambasadorëve, prej të cilave disa janë strategjike për vendin si ai në Uashington.

Njëzet e shtatë vende të ambasadorëve, me atë në NATO, për të cilin sot duhet të vendoset në seancë qeveritare ende nuk janë plotësuar, ndërsa kryeministri Zoran Zaev nga fundi i tetorit duke folur nga foltorja e Parlamentit dhe duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve tha se pret që një pjesë e procedurave për ambasadorë të rinj të përfundojnë në dhjetor, e ndoshta edhe janar dhe shkurt.

Së paku 80 për qind e ambasadorëve në përputhje me ligjin e ri do të jenë diplomatë të karrierës

Republika e Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 57 përfaqësi diplomatike konsullore, prej të cilave 42 janë ambasada, tetë janë misione të përhershme dhe nëntë janë konsullata të përgjithshme. Prej tyre, në këtë moment janë të paplotësuara 23 ambasada dhe katër misione ekzistuese, derisa të gjitha konsullatat e përgjithshme janë të plotësuara.

SHBA-ja, Rusia, Kina, Holanda, Italia janë një pjesë e qendrave të paplotësuara të rëndësishme diplomatike. Atje tani në vend të ambasadorëve kemi ushtrues të detyrës, ndërsa në vendet fqinje ambasadorë nuk ka në Serbi, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci. Në Greqi ende nuk është dërguar ushtrues detyre.

Së paku 80 për qind e ambasadorëve në të ardhmen do të jenë diplomatë të karrierës, në përputhje me ligjin e ri të punëve të jashtme, i cili tashmë është publikuar në Ener.

– Nga numri i përgjithshëm i shefave të PDK-ve së paku 80 për qind janë emëruar nga radhët e diplomatëve të karrierës. Gjatë emërimit të shefave të PDK-ve është e domosdoshme që të respektohet parimi i përfaqësimit përkatës dhe të drejtë të qytetarëve që u takojnë të gjitha bashkësive dhe parimin e barazisë gjinore, bëhet e ditur në nenin 66 të propozimit.

Për ambasador të jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm, gjegjësisht konsull i përgjithshëm mund të vendoset, gjegjësisht të emërohet një diplomat karriere me titull diplomati së paku ministër këshilltar, i cili ka së paku 15 vite përvojë pune në Ministri, prej të cilave së paku pesë në vend udhëheqës dhe me së paku dy mandate punë në PDK.

Shef i PDK-së, me përjashtim, si diplomat jo i karrierës mund të jetë edhe një personalitet i afirmuar që i plotëson kushtet si vijon: të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mos jetë shtetas i shtetit të pranimit, të ketë të mbaruar arsimin e lartë, të ketë së paku 15 vite përvojë pune në fushën e politikës, ekonomisë, politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës ndërkombëtare, kulturës ose shkencës, prej të cilave së paku 4 vite në vend udhëheqës, të përvetësojë në mënyrë aktive një gjuhë, ndërsa është e pëlqyeshme edhe gjuhë të dytë të huaj nga gjuhët që janë në përdorim zyrtar në KB ose nga gjuhet e punës në BE.

Gjithashtu duhet të ketë aftësi përkatëse shëndetësore dhe psikofizike, të ketë cilësi të larta morale dhe integritet personal, të mos jetë i dënuar për vepra penale për të cilat është parashikuar dënim me burg prej së paku gjashtë muajve, të ketë certifikatë përkatëse të sigurisë ose të pajiset me të deri në fillimin e procedurës për marrjen e agremanit dhe të kalojë tre muaj në trajnim në Ministri gjatë përgatitjeve para largimit për të ushtruar detyrën e shefit të PDK-së.

Diplomatët një herë në vit do të vlerësohen për punën e tyre

Sot shefi i diplomacisë Dimitrov do të prezantojë Propozim-ligjin e ri të punëve të jashtme, duke përfshirë edhe risitë e parashikuara me të cilat do të sigurohet profesionalizëm dhe modernizim më i madh i shërbimit diplomatik në ushtrimin e punëve të jashtme.

Zgjidhja ligjore mes tjerash parashikon edhe vlerësimin e diplomatëve, që do të bëhet në mënyrë që të fitohet një pasqyrë reale për profesionalizmin, cilësinë, efikasitetin dhe rezultatet në ushtrimin e detyrave të punës.

Vlerësimi do të bëhet në bazë të të dhënave për rezultatet nga puna, cilësitë e punës ose personale, duke i marrë parasysh të dhënat për trajnimet, shpërblimet, masat disiplinore dhe mungesat në vitin paraprak.

Janë parashikuar vlerësime në mënyrë vertikale dhe horizontale. Në mënyrë vertikale, diplomati vlerësohet nga udhëheqësi i drejtpërdrejtë dhe drejtpërdrejt nga udhëheqësi më i lartë dhe nga një diplomat në nivel më të ulët se niveli i tij.

Në mënyrë horizontale, diplomati vlerësohet nga një diplomat në nivelin e tij nga njësia organizative amë dhe një diplomat të nivelit të tij nga drejtoria me të cilin i vlerësuari ka bashkëpunuar më së shumti gjatë vitit.

Vlerësimi vertikal dhe horizontal bëhet në bazë të raportit me shkrim të përgatitur nga i vlerësuari dhe i verifikuar nga mbikëqyrësi, për atë që është punuar në vitin paraprak. Mungesa e raportit me shkrim në mënyrë automatike tërheq notën “pakënaqshëm”.

Vlerësimi joreal, i pasaktë ose qëllimkeq nga diplomatët është bazë për ngritjen e procedurës disiplinore për shkelje disiplinore. Tërë procesin e vlerësimit e shqyrton dhe konfirmon Kolegjiumi, të cilin e udhëheq ministri, ndërsa e përbëjnë zëvendësministri, sekretari shtetëror, drejtorët e përgjithshëm dhe shefi i Kabinetit të ministrit. Në rast të vlerësimeve evidente kundërshtuese, Kolegjiumi vendosë për vlerësimin përfundimtar.

Diplomatët do të vlerësohen me disa nota: dallohet, kënaqshëm, pjesërisht kënaqshëm dhe pakënaqshëm. Vlerësimi është i fshehtë dhe bëhet një herë në vit, më së voni deri në fund të tremujorit të parë nga çdo vit kalendarik dhe ka të bëjë me vitin paraprak.

Vlerësuese e dorëzon vlerësimin e përgatitur deri te njësia organizative për resurse njerëzore që formon bazë të veçantë të të dhënave me qasje restriktive.

Vlerësimet “dallohet” dhe “kënaqshëm” merren parasysh gjatë kalimit në titull më të lartë diplomatik, si dhe gjatë udhëzimit për punë në PDK.

Diplomatit që dy vite me radhë ka notën “pakënaqshëm” i ulet titulli diplomatik për një titull më të ulët të drejtpërdrejt diplomatik, ndërsa ai që tre vite me radhë është vlerësuar kështu ose që në pesë vitet e fundit tre herë është vlerësuar me “pakënaqshëm” i pushon marrëdhënia e punës në Ministrinë.

Qëllimi është rritja e numrit të diplomatëve të karrierës dhe ulje të atyre politik

Shefi i diplomacisë para do kohë në seancën e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme mes tjerash, foli edhe për pozicionet e zbrazëta të ambasadorëve, por edhe për mënyrat e plotësimit të tyre.

Theksoi se dhjetë ambasadorët e fundit që kanë dalë me propozim të kreut aktual të MPJ-së në mesatare kanë më shumë se 22 vite stazh, derisa dhjetë të fundit nga kreu paraprak kanë pasur stazh në mesatare prej tre viteve.

– Kjo është një ndaj shtatë në raport me partizimin ose profesionalizimin. Nga dhjetë të mëparshmit të kreut paraprak shtatë janë tërësisht nga jashtë, gjegjësisht kanë zero stazh diplomatik, tha Dimitrovi.

Ai atëherë tha se me ligjin e ri për MPJ do të bëhet tentim për përmirësimin drastik të proporcionit mes diplomatëve politik dhe diplomatëve të karrierës në favor të të dytëve. Atje ku do të dërgohen kandidatë politik, në përputhje me ligjin e ri, sqaroi Dimitrovi, do të vendosen kushte të caktuara për përvojë, në mënyrë që të pamundësohet që kushdo të dërgohet në pozicione të ambasadorit.

Ana Cvetkovska

Related posts

Coronavirusi i merr jetën infermieres 40-vjeçare nga Shkupi

Televizioni Koha

Për shkak të një aksidenti është ndërprerë rruga Gostivar – Kërçovë

Televizioni Koha

Kyçuk: Anëtarësimi në BE duhet të jetë kauzë kombëtare, jo interes partiak

Televizioni Koha

Leave a Comment