29/03/2024
9.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

STUDENTI I UT-SË REALIZON NJË SHPIKJE MBRESËLËNËSE

Studenti i UT-së Adem Ameti realizon një shpikje mbresëlënëse – ndez makinën me përplasje të duarve

Studenti i degës së mekatronikës i Fakultetit të Shkencave të Zbatura në Universitetin e Tetovës, Adem Ameti, ka bërë një shpikje mjaft interesante. Ai ka modifikuar veturën Fiat Polsi, të vitit 1990, që të ndizet pa ndihmën e çelësit, por me përplasje të duarve.
Adem Ameti deklaroi se nuk nguron të manovrojë me modifikime të ndryshme, nëpërmjet metodave përkatëse, për të arritur deri te produkti final. “E veçanta e kësaj është se e kam modifikuar sadopak, kam vendosur disa mikrokontrollues shtesë, të cilët i kam programuar vetë. Kam punuar me veturën një kohë të gjatë dhe fillimisht si projekt i parë ka qenë ndezja e veturës me smartphone, nëpërmjet bluetoothit dhe pajisjeve elektronike që i ka brenda, pastaj kam vazhduar me sistemin e radarit, dhe tash së fundi edhe me përplasjen e shuplakave të ndizet, prej brenda ose prej jashtë”, thotë studenti Adem Ameti.
E vetmja vështirësi që ka hasur ai, janë pajisjet elektronike, të cilat nuk gjenden lehtë, dhe kanë kosto të lartë. “Këtu te ne është shumë vështirë të gjesh pajisje elektronike, por edhe nëse gjejmë, janë shumë të shtrenjta, prandaj është pak problem për shkak se nuk përdoren, nuk janë shumë aktive në rajonin tonë”, deklaron ai.
Dekani i FSHZ-së, Prof. Dr. Feta Sinani theksoi se, studenti Adem Ameti ka bërë një punë të shkëlqyeshme, lidhur me këtë shpikje. Ademi ka bërë shumë modifikime në këtë veturë dhe premton se në të ardhmen do ta modifikojë ndezjen edhe me sisteme të tjera, ndërsa këtë shpikje e ka ndërmend ta plasojë edhe në treg, në mënyrë që kjo ide të vendoset në praktikë. / Zyra për Informim /

Të fundit