26/04/2024
12 C
Tetovo

Të tjera lajme

U arrit marrëveshje për koalicion qeveritar, në përbërje janë LSDM, BDI, partitë e koalicionit “Mundemi” dhe PDSH

Liderët i LSDM-së, Zoran Zaev dhe i BDI-së Ali Ahmeti njoftuan se është arritur marrëveshje për koalicion qeveritar, në të cilën pjesë do të jenë edhe partitë e koalicionit “Mundemi” të cilën e udhëheq LSDM-ja dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit.

Zaev dje pas takimit me liderin e BDI-së Ahemti deklaroi se e kanë saktësuar dhe konfirmuar kornizën për bashkëpunimin e ardhshëm mes koalicionit qeveritar.

“LSDM-së, koalicionit Mundemi dhe BDI-së, është arritur marrëveshje koalicioni për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarje të përgjegjësive, përbërjes dhe parimeve të qeverisë së re me mandat të plotë e cila në katër vitet e ardhshme do të punojë me përkushtim për interesat e qytetarëve dhe të shtetit”, tha Zaevi, i cili theksoi se do ta udhëheqë qeverinë në katër vitet e ardhshme.

Marrëveshja e tyre duhet të konfirmohet nga organet më të larta të partive. LSDM, shtoi Zaev, do t’ua prezantojë marrëveshjen edhe partive pjesë të koalicionit “Mundemi”, si dhe PDSH-së, si një partner i ardhshëm qeveritar.

Lideri i LSDM-së tha se veçanërisht e rëndësishme për ta ishte arritja e marrëveshjes së shpejtë për koalicion qeveritar për shkak të nevojës për vendosje të shpejtë në funksion të institucioneve kyçe në shtet, e me qëllim përballjen me sfidat shëndetësore dhe me të gjitha sfidat tjera në lidhje me Kovid-19.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se jam shumë i bindur se ky koalicion, ky partneritet edhe për katër vjet tjera do të jetë më i suksesshëm.

“Ideja ishte për afrim, porosi për ndërmarrje të përgjegjësisë nga shqiptarët për shtet të përbashkët. Duhet t’ia pranoj Zaevit për guximin dhe mirëpres se do të ketë kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie”, tha mes tjerash Ahmeti, duke shtuar se ideja ka qenë të afrohen qytetarët dhe komunitetet, ndërsa jo të ndahen.

Qeverisë së ardhshme dhe koalicionit Ahmeti i dëshiroi punë shumë të suksesshme, duke shtuar se gjithçka që ka deklaruar Zaev më parë, është dakorduar.

Ahmeti shfaqi bindje se vendimi i sotëm do të përshëndetet nga të gjithë qytetarët e shtetit tonë, por edhe nga partnerët tanë të bashkësisë ndërkombëtare të cilët na ndihmuan në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.

BDI do të propozojë kryeministër në njëqind ditë para përfundimit të mandatit të kësaj Qeverie. Kjo mes tjerash është dakorduar mes liderëve të LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Zaevi sot deklaroi se si pjesë e marrëveshjes së tyre është shfuqizimi i qeverisë teknike dhe kryeministër që përkrahje jep edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE.

“Qeveria teknike shfuqizohet, kryeministri teknik shfuqizohet, ndërsa në njëqind ditë para përfundimit të mandatit të qeverisë, partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI me propozim të BDI-së do ta emërojnë kryeministrin. Ai do ta drejtojë qeverinë në 100 ditët e fundit të mandatit të rregullt”, ka thënë Zaev.

Këtë siç tha do ta elaborojë në trupat më të lartë të partisë. Kjo sipas tij, madje paraqet ndërtim të besimit dhe partneritetit.

“Besoj se kjo do të forcojë partneritetin dhe sigurinë te qytetarët. Fundja RMV ka pasur ministër për punë të Jashtme shqiptar, ministër të Mbrojtjes, kryetar të Kuvendit…, shteti vazhdon të jetë i sigurt, përparues, i suksesshëm…Për mua është nder i madh që arritëm marrëveshje koalicioni ku unë e kam atë nder të jem kryetar i qeverisë së ardhshme me mandat të plotë katërvjeçar”, ka thënë Zaevi.

Ahmeti ka thënë se ideja ka qenë të afrohen qytetarët dhe komunitetet, jo të ndahen.

“Duhet t’ia pranoj Zaevit për guximin dhe mirëpres se do të ketë kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie”, tha mes tjerash Ahmeti.

Ndryshe, Besa dhe PDSH, parti të cilat do të jenë pjesë e koalicionit qeveritar, veçmë janë konsultuar mbi këtë propozim dhe ata e mbështesin.

Kryetari i Kuvendit në përbërjen e re parlamentare do të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja, i cili edhe deri më tani ishte në këtë funksion.

“Ne dakorduam që kryetar i Kuvendit të mbetet Talat Xhaferi”, ka thënë Zaev.

Zaev i kumtoi parimet e Qeverisë së re

Zaev i prezantoi një pjesë të parimeve të Qeverisë së re , të cilën do ta drejtojë ai në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Kuadro cilësorë, të përgjegjshëm dhe llogaridhënës do të propozohen nga të dyja palët. Zaevi tha se ata janë kuadro të cilët janë të përgatitur që t’i realizojnë në tërësi përcaktimet dhe parimet e programit të marrëveshjes së koalicionit.

“Oferta kadrovike do të udhëhiqet nga parimet për shoqëri të barabartë për të gjithë, si dhe nga vullneti i fuqishëm për pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave në pushtetin ekzekutiv. Në qeveri nuk do të propozohen ministra pa dikaster me përjashtim të vendeve të zëvendëskryeministrave”, tha Zaevi.

Ai paralajmëroi fuqizim të standardit të qytetarëve dhe dëshirë të madhe, siç tha, që pagat të vazhdojnë të rriten, të vazhdohet me investimet e huaja në shtet.

“Pajtohemi për luftë pa dallime dhe thelbësore me krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet pa dallim se a vjen dikush nga parti ose komunë, nga institucion, a është ekspert, funksionar i njohur ose i panjohur”, theksoi mandatari Zaev.

Siç tha, ai dhe Ahmeti janë pajtuar që të ketë veting në gjyqësor dhe kontroll të prejardhjes së parave dhe kapitalit te secili funksionar përmes sistemit për të cilin bashkërisht do të merren vesh. Gjithashtu paralajmëron rritjen e llogaridhënies të të gjitha institucioneve, por edhe uljen e privilegjeve të funksionarëve.

Ekziston pajtimi në koalicion, tha Zaevi, për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ajrit, tokave dhe ujërave të jenë një nga prioritete e larta të programit qeveritar dhe i njëjti të realizohet përmes mobilizimit të të gjitha institucioneve shtetërore, nëpunësve, studentëve dhe nxënësve, të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive. Gjithashtu do të punojnë edhe në përforcimin e shërbimeve inspektuese dhe gjoba më të mëdha për ndotësit e ajrit.

“Bashkërisht vlerësojmë se lufta me virusin korona duhet të mbetet prioritet i lartë i shëndetësisë publike përmes qasjes thelbësore dhe transparente të vlerësimit dhe menaxhimit me kapacitetet shëndetësore dhe mbrojtjes së qytetarëve”, tha Zaevi.

LSDM dhe BDI, siç tha, janë marrë vesh që me prioritet t’i realizojnë të gjitha reformat sa i përket anëtarësimit tonë në BE.

“Qeveria e Përzhinos do të shfuqizohet përmes ndryshimeve në Ligjin për Qeverinë. Ne do të punojmë për ndryshimin dhe përmirësimin e modelit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme lokale. Do të punojmë në modelet për uljen e vëllimit të administratës për 20 për qind duke bashkuar funksionet dhe kompetencat e institucioneve, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime më cilësore, më të mira dhe më të shpejta. Në gjashtë muajt e parë, të gjithë të punësuarit në bazë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të cilët mbetën të pashpërndarë në institucionet shtetërore, do të fillojnë me punë, ndërsa institucionet do të miratojnë kërkesat e të punësuarve për njohjen e arsimit, në përputhje me ndryshimet e fundit në Ligjin për të Punësuarit në Administratën Publike dhe Sektorin Publik të cilin e miratoi Parlamenti në përbërjen e mëparshme”, tha mandatari.

Në Kuvend, paralajmëroi Zaevi, ligjet do të dorëzohen bashkërisht pas koordinimit dhe harmonizimit paraprak me çka të paktën dy javë do të përcaktohet dita për votim të ligjit me qëllim të zbatimit më të shpejtë të reformave në legjislacion, por edhe racionalizim në punën e Parlamentit dhe të deputetëve.

“Këto parime do t’i zbatojmë në programin e përbashkët qeveritar i cili në tërësi do ta ndjekë rrugën të cilën e shënuam me anëtarësimin në NATO, e ajo është rruga e përcaktuar përgjatë Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është rruga evropiane, rruga e ekonomisë, drejtësisë dhe barazisë”, theksoi Zaevi në konferencën për media pas takimit me Ali Ahmetin në të cilin ishte publikuar arritja e marrëveshjes për koalicionin qeveritar.

Reagimet e partive nga blloku i ri opozitar

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe AlternAtivA deklaruan se kjo është qeveri mashtruese dhe jolegjitime.

E para, është mashtruese, sepse të dyja palët i kanë mashtruar rëndë qytetarët dhe, e dyta, është jolegjitime, sepse për partner ka një parti që e ka grabitur forcërisht dhe me manipulime vullnetin politik të shqiptarëve. Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LDSM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se “në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në”. Prandaj për koalicionin tonë kjo qeveri nuk meriton asnjë respekt politik dhe, si e tillë, do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik.”, kumtuan nga AA dhe Alternativa.

Partia më e madhe opozitare e VMRO-DPMNE-së përmes kumtesës thekson se koalicioni i ri Zaev – Ahmeti është për vazhdimin e shprehive të vjetra të krimit dhe korrupsionit.

“Emëruesi i vetëm dhe më i madh i koalicionimit janë krimi dhe gënjeshtra. Do të përkujtojmë se Zaevi për BDI-në para zgjedhjeve tha se nuk vlejnë pesë para, ndërsa BDI-ja për LSDM-në tha se janë kriminelë”, thonë nga VMRO-DPMNE. sn/

Të fundit