26/04/2024
12 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zaev: LSDM-ja e kryeson koalicionin më të madh që është favorit absolut i zgjedhjeve të 12 prillit

LSDM është parti kryesuese e ndryshimeve. Parti e cila e zhvillon pluralizmin politik. Parti e progresit në Maqedoninë e Veriut. Parti e cila punon në sigurinë e të ardhmes së vendit. Sot LSDM dhe të gjithë që jemi pjesë e saj i vazhdojmë politikat e përgjegjshme dhe shtetformuese të cilat çojnë drejt integrimit, zhvillimit dhe të ardhmes më të mirë të të gjithë qytetarëve, porositi lideri i LSDM-së në fjalimin në fillim të Kongresit të 24-t të partisë.

Ai përkujtoi se vetëm për dy vjet e gjysmë, aq sa LSDM e kryeson pushtetin, kanë realizuar një pjesë të madhe të politikave të tyre për kthimin e parave tek qytetarët, më pas, siç tha duke i zgjidhur edhe çështjet e mëdha të cilat i kanë ndihmuar shtetit të shkojë përpara.

“Për vetëm dy vjet e gjysmë shteti dhe shoqëria po shënojnë progres në çdo fushë. Jemi duke bërë kthesë për më mirë”, tha Zaev.

Shtoi se në vitin 2016 LSDM ka paralajmëruar koncept për kthimin e parave tek qytetarët, të cilin siç tha, për vetëm dy vjet e gjysmë në pjesën më të madhe e kanë realizuar. Më pas përkujtoi për taksën e pezulluar radiodifuzive, uljen e shpenzimeve për noterë, të avokatisë dhe të përmbaruesve, uljen e dënimeve, kthimin e një pjese të TVSH-së tek qytetarët përmes TVSH-ja Ime, rritjen e asistencës sociale për 300 për qind, vendosjen e pensionit social, rritjen e subvencioneve për bujqit…

Gjithashtu, tha Zaev, kemi premtuar pagë prej 30.000 denarësh përgjatë mandatit, ndërsa për vetëm dy vite e gjysmë ajo është 27 mijë, e rritëm pagën minimale në 14.500 denarë, ndërsa i rritëm edhe pensionet.

Politikat e suksesshme ekonomike, tha kanë çuar drejt asaj rritja e BPV-së vitin e kaluar të jetë 3,6 për qind, më e lartë se që ishte planifikuar prej 3,5 për qind, duke e pasur parasysh se para tre vitesh ka qenë -1,8 për qind.

Lideri i LSDM-së, midis tjerash, shtoi se tashmë nuk ka frikë, nuk ka media nën diktim, as shkelje mbi njerëzit, përkundrazi, tha ka investim tek njerëzit, paratë shkojnë tek populli, dhe jo në polisterol, fasada….

“Shtetin nga izolimi dhe stagnimi e sollëm në rrugën e eurointegrimeve. Sot vendi ynë i bukur Maqedonia e Veriut është vendi i 30-të anëtar i NATO-s”, theksoi Zaev.

Ai theksoi se në disa segmente ka edhe shumë punë dhe e veçoi gjyqësinë si njërin prej tyre ku janë zbatuar reforma për përforcimin e kapacitetit të shtetit ligjor.

“Duhej kohë por pas një serie ligjesh reformuese përfundimisht sollëm ligj efikas dhe bashkëkohor për Prokurorinë Publike. Lëndët do të kenë epilog. Politikanët mbeten jashtë prokurorëve dhe gjykatësve, nuk ka amnisti të fshehta, dikujt kjo gjithsesi se nuk i ka pëlqyer por ata që janë për drejtësi votuan me dy të treta në Kuvend. Tani gjyqësia e ka radhën të dëshmojë drejtësi pa u ballafaquar me çfarëdo ndikimesh politike dhe të tjera. Kjo nuk është vetëm pritshmëri e imja apo e juaja, kjo është pritshmëri e të gjithë qytetarëve, e të gjithë miqve dhe aleatëve tanë”, theksoi lideri i LSDM-së.

Edhe gjatë periudhës së ardhshme, paralajmëroi, do të punojnë në gjyqësi të veprojë e pavarur dhe në mënyrë profesionale me çka do ta dëshmojnë përkushtimin dhe angazhimin për ndërtimin e shoqërisë e cila njihet si korrekte, e drejtë, solidare dhe me stabilitet ekonomik.

“Politikat tona janë të njohura të stërnjohura. Prandaj koalicioni i kryesuar nga LSDM po rritet me parti të reja politike të cilat janë të gatshme të punojnë së bashku me ne në zhvillimin e jetës së të gjithë qytetarëve. Prandaj sot LSDM e kryeson koalicionin më të madh, më të ndryshëm, më të fuqishëm i cili është favorit absolut në zgjedhjet e 12 prillit, koalicion i cili do të fitojë”.

Kemi bërë shumë për dy vite e gjysmë, theksoi Zaev dhe shtoi se tani është koha të zotohen për qëllime të reja para qytetarëve dhe para vetes.

Në Kongresin e LSDM-së të pranishëm janë liderët e VMRO-PP dhe të Bashkuar për Maqedoninë, Lupço Georgievski dhe Lube Boshkovski, i BESË-s, partner i ri të koalicionit të LSDM-së, Billall Kasami, nga PRSD-ja i pranishëm është nënkryetari dhe deputeti, Goran Misovski. Në kongres marrin pjesë edhe liderë dhe përfaqësues të të gjitha partive partnere të koalicionit të LSDM-së, prej radhëve të së cilëve do të gjenden kandidatë në listat në gjashtë njësitë zgjedhore.

Në kongres të pranishëm janë thuajse të gjithë deputetët e përbërjes aktuale të Kuvendit, të cilët vijnë nga listat e LSDM-së dhe Koalicionit. .MIA

Të fundit