Në Kosovë është përkujtuar 18-vjetori i vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Krerët e shtetit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të institucioneve bënë homazhe te varri i Rugovës duke e nderuar e vendosur lule.
Osmani dhe Kurti vlerësuan figurën e Rugovës dhe kontributin e tij për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
“Presidenti Rugova arriti që në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhen Kosovës, prandaj sot e përjetë do t’i ruajmë këto alenaca të cilat do të na ndihmojnë që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të Presidentit historik për një Kosovë të pavarur.”
“Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve 90.”
Homazhe dhe nderime bëri edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK, parti e cila u themelua nga Rugova.
“Në këtë 18-vjetor të dhimbëshëm ne jo vetëm ndjejmë dhimbje për humbjen dhe mungesën e tij, por edhe e rikujtojmë me nder të madh mundin, përpjekjen dhe mënyrën e të bërit politik të tij.”
Ibrahim Rugova u nda nga jeta në Janar të vitit 2006 në moshën 62-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.Klan News