03/03/2024
11.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mungesa e internetit në RMV pamundëson digjitalizimin në arsim

Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut nga gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor, që nis më 22 janar, synon të vazhdojë me ritëm edhe më të shpejtë digjitalizimin e procesit mësimor. Kjo nënkupton, internet në të gjitha shkollat, libra digjital, tabela elektronike, furnizim të nxënësve me pajisje elektronike e risi të tjera.

Por, një paralajmërim i këtillë është bërë në kohën kur në shumë shkolla të Maqedonisë së Veriut, ende nuk ka banka e tabela – shkolla ku ende ngrohen me dru, andaj digjitalizimi është gjëja e fundit në mendjen e drejtuesve të këtyre shkollave.

Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, thonë se nuk janë kundër digjitalizimit, por së pari kërkojnë sigurimin e kushteve elementare për ndjekjen e procesit mësimor.

Shumë zona rurale në rajonin e Likovës dhe Kumanovës në pjesën verilindore të Maqedonisë së Veriut, ende nuk kanë qasje në internet, që është kushti kryesor për digjitalizimin e procesit mësimor.

“Ne nuk jemi kundër modernizimit, por jo në këtë mënyrë. Në vendet malore ku unë jam i angazhuar, ne nuk kemi as internet e as gjëra tjera”, thotë Samet Jahiu mësimdhënës dhe drejtues i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë.

Në një gjendje të tillë janë edhe disa shkolla fillore të komunës së Studeniçanit, rreth 20 kilometra nga Shkupi.

Shumica e tyre ngrohen me dru, nuk kanë dysheme adekuate ndërsa ndodh shpesh që të mos kenë edhe energji elektrike.

“Këto shkolla nuk kanë as lidhje interneti, kështu që tani për tani nuk mund të flasim për digjitalizim të procesit mësimor”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mustafa Regaip, drejtor i shkollës fillore “Alija Avdoviq”.

“Në disa shkolla më të vogla ku kemi nga 20 nxënës, mungojnë kushtet më elementare. Infrastruktura është problemi kryesor pasi nuk kemi tavolina, tabela, pra mungojnë elementet bazë për mësim”, thotë ai.

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, vetëm 45 shkolla fillore në vend, nga 966 sa janë gjithsej, janë gati për procesin e digjitalizimit që nga gjysma e dytë e vitit.

Për kushtet jo të mira në shkolla flet edhe Sutki Ismaili, mësimdhënësi i Matematikës në Tetovë, i cili merr pjesë edhe në trajnime të ndryshme të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.

Ai thotë se për të pasur një proces mësimor të digjitalizuar nevojiten kushte, dhe jo vetëm që shkollat të kenë qasje në internet.

“Kemi shkolla, të cilat ende nuk kanë rrjet të internetit, kryesisht shkollat që janë në zonat rurale, jo ato në zonat urbane. Atje shkollat nuk kanë qasje në internet dhe kjo dëshmohet edhe me faktin së mësimdhënësit nuk mund t’i plotësojnë as ditarët elektronikë për shkak të mospasjes së internetit. Edhe kabinetet e informatikës në shkolla janë shumë të vjetërsuara d.m.th i ka shkelur koha. Në shkolla ka laptopë të vjetër mbi 7-8 vjet, pra janë të vjetër, të papërdorshëm. Kabinetet e informatikës janë në gjendje të mjerueshme”, thotë mësimdhënësi Satki Ismaili.

Që të arrihen rezultatet e duhura në ngritjen e digjitalizimit, Ismaili thotë se duhet të ketë angazhim më të madh nga shteti, nga komunat si dhe nga vetë shkollat.

“Këto kushte duhet t’i sigurojë shteti, por a mund të bëhen të gjitha përnjëherë? Jo, nuk mund të bëhen menjëherë. Që ato të bëhen, duhet të ketë një organizim të mirëfilltë. Pra, Ministria e Arsimit dhe komunat duhet ta menaxhojnë këtë situatë. Digjitalizimit duhet t’i jepet më shumë rëndësi, por që kjo të ndodhë apo që të zhvillohet digjitalizimi te nxënësit duhet të ketë një infrastrukturë më të mirë, të ketë internet e kështu me radhë. Duhet të ketë nisma si nga Ministria e Arsimit ashtu edhe nga komunat dhe shkollat”, shton Ismaili.

Dhe, derisa shumë shkolla fillore, veçanërisht në zonat rurale, janë ende në pritje të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës, në fund të vitit të kaluar, më 29 dhjetor, Ministria e Arsimit doli me njoftimin ambicioz se nga gjysmëvjetori i dytë procesi i digjitalizimit në arsimin fillor, sipas konceptit të ri, hyn në fazën e dytë.

Nga ana tjetër, në gjysmëvjetorin e dytë, përmes platformës “mësimi.mk”, nxënësit do të kenë qasje në tekstet shkollore digjitale, të cilat, sipas ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, “nuk do të jenë vetëm një version PDF i atyre ekzistues, por me përmbajtje të reja multimediale që do të nevojiten për të pasuruar njohuritë e nxënësve”.

Procesi i digjitalizimit në arsimin fillore ka nisur fillimisht me klasat e dyta dhe të katërta dhe më pas me të tretat dhe të pestat që më pas të vazhdojnë edhe me paralelet tjera, por për shkak të mungesës së kushteve, kryesisht me internetin dhe pajisjet e nevojshme, në shumë shkolla nxënësit kanë qenë të detyruar t’u kthehen librave të shtypur./REL/

Të fundit