11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

-30 gradë/ I ftohti ‘mbërthen’ SHBA-në, mbyllen shkollat dhe anulohen fluturimet

Erëra të ftohta dhe të rrezikshme kanë vazhduar të mbizotërojnë në pjesë të Shteteve të Bashkuara, ku temperaturat kanë arritur deri në minus 30 gradë celsius. Rreth 110.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike të hënën mbrëma, shumica prej të cilave në Oregon, shtet që po përballet me ndërprerje të rrymës që nga dita e shtunë. Kompania publike për furnizim me energji, Portland General Electric, ka paralajmëruar se kërcënimi nga shiu dhe i ftohti mund të shkaktojnë vonesa në rikthimin e furnizimeve të rregullta me energji elektrike.

Zyrtarët e transportit u kanë bërë thirrje banorëve që t” shmangin udhëtimet, pasi që rrugët pritet të bëhen të rrezikshme nga shtresat e akullit, por edhe mund të ketë rrëzime të pemëve dhe të shtyllave elektrike. Mësimi është anuluar për nxënësit në Portlend dhe në qytete të tjera të mëdha sikurse Çikago, Denver, Dallas dhe Fort Uorth. Stuhitë dhe temperaturat e ulëta kanë prekur gjithçka nga udhëtimet ajrore, ndeshjet sportive, e deri te votimet brendapartiake në Ajova, e po ashtu kanë shkaktuar disa raste vdekjesh në mbarë vendin.

Të paktën katër persona kanë vdekur në zonën e Portlendit, përfshirë dy persona që dyshohet se vdiqën nga hipotermia. Një tjetër burrë vdiq pasi një pemë ra mbi shtëpinë e tij, ndërkaq një grua vdiq nga zjarri që u përhap pasi në stufën e kuzhinës ra një pemë.

Në Uiskonsin, autoritetet po hetojnë vdekjen e tre të pastrehëve, të cilët ka të ngjarë që kanë vdekur nga hipotermia, thanë zyrtarët. Shiu i ftohtë dhe reshjet e borës janë parashikuar që të mbërthejnë juglindjen të martën. Ndërkaq, në Misisipi të hënën mbrëma temperaturat ranë nën minus 12 gradë celsius. Për shkak të motit të ftohtë, FlightAware, që gjurmon fluturimet, tha se rreth 2.900 fluturime janë anuluar të hënën në SHBA. Temperaturat pritet të ngriten në mesin e javës, por erëra të ftohta janë parashikuar në jug gjatë fundit të javës.

Të fundit