29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

61.6 milion euro buxheti i ri i Ministrisë së Kulturës, do të krijohen 3 institucione të reja kombëtare

Propozimi i përgjithshëm i buxhetit të Ministrisë së Kulturës për vitin e ardhshëm është 61,6 milionë euro, me fokus në dy qëllime – kujdesin për trashëgiminë kulturore dhe historike ekzistuese dhe hapjen e perspektivave për zhvillimin e kulturës. Gjithashtu, vitin e ardhshëm do të themelohen edhe tri institucione të reja kombëtare, informoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në konferencën e sotme për media në Qeveri, ai bëri me dije se në vitin 2023 me vendim të Qeverisë do të themelohen tri institucione të reja kombëtare – Muzeu Memorial i Kongresit të Smilevës në Smilevë, Orkestra e Dhomës e Manastirit dhe Teatri Muzikor në Tetovë.

“Kjo Qeveri udhëhiqet nga vendosmëria që pavarësisht nga sfidat dhe çfarëdo viti në aspektin e sfidave ekonomike dhe energjetike me të cilat përballemi për shkak të krizës botërore, kultura mbetet prioriteti ynë. Siguruam vazhdimësinë e realizimit të programeve dhe projekteve në institucionet kulturore, pagat e punonjësve të kulturës, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se gjatë vitit të ardhshëm do të rinovohen të gjitha monumentet dhe memorialet nga Lufta Nacionalçlirimtare (LNÇ) e personave që kontribuan në luftën kundër fashizmit dhe çlirimin e vendit tonë dhe në ngjarjet e ndodhura gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

Në sferën e kujdesit për trashëgiminë kulturore-historike ekzistuese, gjegjësisht për rinovimin e të gjitha monumenteve dhe memorialeve nga LNÇ-ja, kryeministri tha se Qeveria ka siguruar para nga buxheti i Maqedonisë së Veriut, edhe pse në përputhje me ligjin, për përmendoret dhe memorialet, për ngritjen, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve janë përgjegjës komunat, përkatësisht Qyteti i Shkupit.

“Në seancën e kaluar, Ministrinë e Kulturës e kemi ngarkuar me afate për të lidhur marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi me komunat për rehabilitimin e monumenteve dhe për të dorëzuar në Qeveri një informacion në të cilin do të përcaktohen masat dhe fondet e nevojshme për këtë qëllim”, tha Kovaçevski.

Siç njoftoi ai, në vitin 2023 do të fillojë rikonstruksioni dhe renovimi i plotë i Muzeut të Maqedonisë së Veriut, për të cilin në propozim-buxhet janë paraparë 813 mijë euro. Me Propozim-buxhetin ndahen 50 mijë euro për mbështetjen e të rinjve në kulturë.

“Po hapim edhe institucione të reja kombëtare në vend, duke mundësuar që vepra të rëndësishme kulturore të artit, përveç Shkupit, të shfaqen edhe në pjesë të tjera të vendit”, shtoi kryeministri.

Ai përmendi se në buxhetin e propozuar për vitin e ardhshëm janë paraparë investime kapitale në kulturë. Më shumë se 2.3 milionë euro janë planifikuar për vazhdimin e ndërtimit të Teatrit dhe bibliotekës në Tetovë.

“Është një objekt kapital me përmasa të mëdha, që nënkupton bashkimin e kulturës në rajonin e Pollogut. Dy milionë euro janë paraparë për ndërtimin e Teatrit Turk dhe do të jetë një objekt krejtësisht i ri. Investimet në Teatrin e Strumicës vazhdojnë, për të cilat janë planifikuar 500 mijë euro. Me projektbuxhetin për kulturë kemi rritur mjetet për grante kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale për 16 mijë euro në 325 mijë euro”, tha kryeministri.

Siç shtoi ai, me mbështetjen nuk janë lënë jashtë edhe katër qendrat kulturore dhe informative të vendit në Sofje, Tiranë, Zagreb dhe Stamboll dhe Qendra Kulturore në Nju-Jork, si dhe është planifikuar hapja e qendrave të reja të tilla.

“Dua që punonjësit e kulturës ta dinë se fondet për pagat e punonjësve të kulturës janë planifikuar plotësisht, diçka që nuk ka qenë praktikë dhe është siguruar me ribalancim. Tani fondet për paga janë paraparë plotësisht në buxhetin për vitin e ardhshëm”, shtoi Kovaçevski.

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska theksoi se të gjitha obligimet financiare për vitin 2022 janë realizuar dhe janë përmbyllur.

“Prandaj, nuk po kalojmë asnjë detyrim nga ky vit në buxhetin e vitit të ardhshëm. Nuk ka detyrime të prapambetura, kështu që në vitin e ardhshëm po hyjmë me një buxhet që nuk do të paguajë faturat e vjetra dhe kjo na mundëson të realizojmë planin dhe programin për vitin e ardhshëm me shumën e parashikuar”, tha ministrja në konferencën e sotme të shtypit.

Siç shtoi ajo, në buxhetin e vitit 2023 janë rritur edhe fondet për shërbimet komunale për institucionet në fushën e kulturës, si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë në bursat botërore. Prandaj, në vend të 3.93 për qind, ajo kosto tani parashikohet në 6.85 për qind të buxhetit të përgjithshëm për kulturën.

“Gjithashtu, janë rritur edhe bllok grantet për komunat për shkak të rritjes së pagave të punonjësve dhe shpenzimeve materiale në institucionet vendore në fushën e kulturës, nga gjashtë në 6.5 milionë euro. Edhe grantet kapitale për komunat janë rritur nga një në 20 milionë denarë”, theksoi Kostadinovska Stojçevska.

Për shpenzime kapitale, theksoi ministrја, në propozim-buxhetin për kulturë për vitin 2023 janë paraparë 6.4 milionë euro. Ju njoftoj se përqindja e realizimit të investimeve kapitale për vitin 2022 deri më tani është e lartë 83 për qind me tendencë në 10 ditët e mbetura të jetë edhe më e lartë.

Si zëra, theksoi ajo, mbeten Programi “Trashëgimia kulturore në rrezik” dhe mbështetja e të rinjve.

“Vëmendja jonë mbetet te mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Po punohet dhe do të punohet për ujësjellësin e Shkupit dhe kishën në Kurbinovë, si dhe për dëshmi të tjera kulturore. Prandaj, jemi të fokusuar jo vetëm tek buxheti por edhe për bashkëpunim nga fondet e institucioneve ndërkombëtare. Mbrojtja kulturore është një çështje e shtrenjtë dhe kemi edhe mangësi në stafin profesional”, shtoi ministrja.

Të fundit