“Shteti yt – shansi yt” është platforma e re e LSDM-së, e promovuar nga kryetari i partisë, Venko Filipçe, të cilën partia e paraqet si një “kontratë sociale për shekullin XXI”. Në vend të një dokumenti klasik politik, platforma përfaqëson një përpjekje për ndryshim sistematik në qeverisjen e shtetit, me fokus të veçantë te ekonomia, të rinjtë, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit.
Lideri i opozitës nga LSDM, Venko Filipçe, në Kongresin e 32-të të partisë për miratimin e platformës së re ideologjike dhe programore, tha se socialdemokratët do të ofrojnë zgjidhje për problemet me të cilat përballet shteti dhe njëkohësisht do të ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë.
Platforma fokusohet në tre shtylla kryesore: zhvillimin ekonomik dhe institucional, mobilizimin e publikut progresiv në vend dhe integrimin evropian.
VENKO FILIPÇE – Kryetar i LSDM-së
“Një plan i qartë shtetëror për hapjen e klasterëve dhe kapitujve të negociatave, me afate të sakta, përgjegjësi politike dhe transparencë të plotë publike. Mjaft më me deklarata konfuze dhe fotografi marketingu; qytetarët kanë të drejtë të dinë cili është plani, cili është hapi i radhës dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse Maqedonia mbetet sërish në pritje”, deklaroi Filipçe.
Në pjesën që lidhet me integrimin evropian, dokumenti thekson se identiteti maqedonas duhet të pushojë së qeni temë debatesh dhe të shndërrohet në platformë për përparim.
Një nga mënyrat për ta arritur këtë është vendosja e një vije të kuqe për gjuhën maqedonase, si dhe ndarja e 150 milionë denarëve në vit për shkencën.
Një pjesë e veçantë i kushtohet luftës kundër korrupsionit.
Si masa propozohet krijimi i një fronti operativ me Prokurorinë Evropiane, përkatësisht një linjë e drejtpërdrejtë për mbrojtjen e fondeve dhe resurseve.
Në fushën e ekonomisë, parashihet mbështetje shtetërore për kompanitë me potencial eksporti dhe zhvillim teknologjik.
Në aspektin social, socialdemokratët propozojnë uljen e detyrimeve tatimore për kompanitë që rrisin pagat e punonjësve, si dhe rritjen e pensioneve me 50 për qind brenda një mandati qeverisës.







