Të tjera lajme

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Qershor

Dje në ora 11:30, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Gostivarit kanë arrestuar një 32-vjeçar nga Gostivari. Ai kërkohej me fletarrest, në bazë të urdhëresës gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg prej një viti për veprën penale të kryer “lëndim i rëndë trupor”. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues – Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit me burg.

……Dje në ora 00:40 në SPB Tetovë, një 54-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 20:00 në rrugën “Lubo Bozhinovski Pish” në Tetovë, djali i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga disa persona të mitur të cilët ai i njihte. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje në ora 14:40 në fshatin Strimnicë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Grupçinit kanë privuar nga liria një 28-vjeçar nga fshati Vrapçisht i Gostivarit. Ai është kapur duke drejtuar një automjet udhëtarësh “Volksvagen Golf” me targa të Tetovës, pa pasur të kaluar provimin për shofer, përkatësisht pa patentë shoferi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje në ora 19:00 në autostradën Shkup – Tetovë, tek pika pagesore e Zhelinës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Trafikun Rrugor Tetovë kanë privuar nga liria një 41-vjeçar nga fshati Dobërdoll, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “dhunë”. Gjegjësisht, sipas denoncimit, paraprakisht në pikën pagesore ai ka sulmuar fizikisht dhe me një send të fortë një 28-vjeçar nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës. Sulmi është ndërprerë nga zyrtarët policorë që ndodheshin në vendngjarje, pas së cilës 41-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihet parashtresë përkatëse.

……Pas mesnate në ora 02:00 në SPB Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova, punonjës në një bastore sportive në rrugën “Ilinden” në Tetovë, ka denoncuar se një person, nën kërcënimin e një sendi të mprehtë, ka marrë paratë e qarkullimit ditor. Po merren masa për gjetjen e personit dhe për zbardhjen e rastit.

Të fundit