Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, konvokoi mbledhjen e katërt të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së.
Në mbledhje, sic thonë nga BDI, u diskutua për zhvillimet dhe aktualitetet politike në vend, aktivitetet e strukturave partiake dhe prioritetet e veprimit për periudhën në vijim.
Në mbledhjen e katërt të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, janë analizuar zhvillimet e fundit në skenën politike, sfidat me të cilat përballet vendi dhe pozicionimet politike lidhur me çështjet me interes për qytetarët.
Në këtë drejtim u shkëmbyen qëndrime dhe vlerësime për proceset aktuale politike, si dhe për nevojën e një angazhimi të përgjegjshëm në mbrojtje të interesit publik dhe të arritjeve të deritanishme – thuhet në komunikatën e BDI-së.
Kryesia, sic thuhet në komunikatë, ritheksoi përkushtimin e saj për të vazhduar angazhimin në mbrojtje të interesave të qytetarëve, Marrëveshjes së Ohrit dhe në funksion të forcimit të rolit të BDI-së në zhvillimet politike në vend.
Ndërkohë, përmes një reagimi, integristët kanë komentuar edhe Kuvendin Themelues të VLEN-it në Tetovë.
Sipas BDI-së, ky Kuvend vjen vetëm një ditë pasi shumica qeveritare kaloi në lexim të parë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pa kuota etnike, pa mekanizma mbrojtës dhe pa sanksione dhe sic thuhet për të ripërsëritur narrativën e vjetër të “bashkimit”.
BDI
Pas dy vitesh në qeveri, bilanci i vetëm politik i VLEN-it është zhbërja sistematike e të drejtave të fituara të shqiptarëve. Nga dobësimi i mekanizmave të përfaqësimit, te relativizimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe heshtja përballë vendimeve që cenojnë barazinë, kjo garniturë politike ka dëshmuar se nuk ka as vizion dhe as kapacitet për të mbrojtur interesat kombëtare.
Para se të flasin për bashkim, sipas BDI-së, VLEN duhet t’u japë përgjigje qytetarëve se pse pas dy vitesh në pushtet ka pranuar çmontimin e mekanizmave që garantonin përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.
Poashtu, përmes reagimit BDI pyet:
-Nëse pas dy vitesh në qeveri krenaria kryesore janë 1300 nënshkrime, ku janë rezultatet për shqiptarët?
-Ku janë premtimet për barazi, përfaqësim dhe dinjitet?
Historia do t’i kujtojë jo për fjalët që thanë në kuvende partiake, por për të drejtat që humbën ndërsa ishin në pushtet – thuhet në reagimin e BDI-së./Tv Koha/







