“Do t’i pëlqejë dikujt apo jo, Ligji për gjuhët do të zgjidhet”, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një intervistë për TV Sitel, duke theksuar se çështja do të marrë epilog pasi Gjykata të kompletohet. Ai i hodhi poshtë akuzat për mbivotim etnik dhe majorizim, duke nënvizuar se gjyqtarët vendosin mbi bazë të Kushtetutës dhe argumenteve juridike, e jo sipas përkatësisë etnike.
“Unë kam thënë se nuk ka kompromise me askënd në lidhje me zgjidhjen. Ky rast do të zgjidhet, i pëlqeu dikujt apo jo, sepse do të zgjidhet dhe askush nuk duhet të ketë frikë nga zgjidhja e tij. Shpesh dëgjojmë kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese për mbivotim etnik, për majorizim, ka përfaqësues që kërkojnë parimin e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë kam shprehur qëndrimin tim. Ne aty, pa marrë parasysh etninë – as gjyqtarët shqiptarë, as gjyqtarët maqedonas – nuk jemi aty për të mbrojtur afilacionet etnike. Kemi një detyrë të thjeshtë… Për fat të keq, pavarësisht akuzave, më së shpeshti faktori politik shqiptar akuzon shumicën e gjyqtarëve maqedonas për majorizim. Unë shpesh pyes: le të shohim cilat janë argumentet juridike dhe kushtetuese të kolegëve tanë, e cilat janë etnike. Nuk është e vërtetë, është e kundërta!”, theksoi Kostadinovski. përcjell Zhurnal.mk .







