Të tjera lajme

Dauti: Thellohet bashkëpunimi doganor me Shqipërinë, One Stop Shop në të gjitha pikat kufitare

Zv/Drejtori i Doganave Musfatafa Dauti njoftoi sot se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ishte temë kryesore e diskutimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Republikës së Shqipërisë, Besmir Beja.

Dauti tha se në fokus të bisedimeve ishte zbatimi i sistemit One Stop Shop në të gjitha pikat e përbashkëta kufitare mes dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Së bashku, Dauti dhe Beja theksuan se po ndërmerren hapa konkretë për shtrirjen e këtij sistemi, i cili synon përshpejtimin e procedurave kufitare, uljen e kohës së pritjes, lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve.

Dauti shtoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave doganore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një kufiri më efikas, më të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.

Në fund, zv/drejtori Dauti shprehu mirënjohje edhe për Misionin e OSBE-së, organizimin e aktivitetit dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe reformimin e administratave doganore.

Ai tha se kontributi i OSBE-së në promovimin e dialogut institucional dhe zbatimin e reformave konkrete ka rëndësi të veçantë për realizimin me sukses të këtij projekti.

Palët u shprehën të bindura se, përmes përkushtimit të përbashkët, sistemi One Stop Shop do të zbatohet me sukses në të gjitha pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

TV KOHA

Të fundit