Të tjera lajme

”I vdekur” për shtetin plot 25 vjet, Afeti nga Shkupi!

Plot 25 vjet, Afeti nga Shkupi zyrtarisht figuron si i vdekur, ndërsa ai është gjallë dhe prej vitesh po zhvillon një betejë të pasuksesshme institucionale për të dëshmuar se merr frymë, edhe pse shteti e ka fshirë prej kohësh.

Duke mos gjetur rrugëdalje nga labirinti institucional, ai ka kërkuar ndihmë edhe nga Avokati i Popullit.

​”Duke vepruar në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, Avokati i Popullit ka vepruar sipas një ankese të dorëzuar më 24.01.2023 nga një qytetar nga Shkupi, i cili për më shumë se shtatë vjet po zhvillon procedura para disa organeve për t’u fshirë nga libri amzë i të vdekurve, ku ishte regjistruar gabimisht pas vdekjes së vëllait të tij binjak jashtë vendit, për shkak të ndërrimit të dokumenteve personale”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

​Konfuzioni ka lindur kur që në vitin 2001, vëllai binjak i Afetit kishte shkuar në Çeki dhe fshehurazi ia kishte marrë pasaportën. Së shpejti ai kishte ndërruar jetë jashtë vendit, kështu që sipas pasaportës, institucionet kishin regjistruar se ka vdekur Afeti.

​Edhe pse ai përmes shenjave të gishtave ka dëshmuar se është Afeti, institucionet ia hedhin topin njëra-tjetrës se kush është kompetent për ta përmirësuar gabimin.

Përgjegjësinë mes vete e bartin Gjykata Civile dhe Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë.

​Pingpong institucional: Kush është kompetent?
​Gykata Civile: Qytetari ka dorëzuar kërkesë deri te Gjykata Themelore Civile në Shkup për t’u shpallur i gjallë, por gjykata ka sjellë vendim me të cilin është shpallur jokompetente, duke u arsyetuar se një procedurë e tillë nuk është e paraparë me rregulloret ligjore në fuqi. Pas plotfuqishmërisë së vendimit, qytetari është udhëzuar ta zgjidhë çështjen para Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amzë.

​Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë: Nga ana tjetër, Drejtoria e ka udhëzuar qytetarin përsëri në procedurë gjyqësore, duke theksuar se vetëm gjykata është kompetente për të sjellë vendim me të cilin personi do të shpallet i gjallë, pas së cilës Drejtoria do të mund ta anulonte regjistrimin në librin amzë të të vdekurve.
​Me këtë bartje të ndërsjellë të kompetencave, pa vepruar në thelb ndaj kërkesës, Avokati i Popullit vlerësoi se po shkelet e drejta elementare për jetë, pasi qytetarit, i cili formalisht është i evidentuar si i vdekur, i pamundësohet realizimi i të drejtave më elementare.

​Përkundër ndërhyrjeve të shumta nga Avokati i Popullit, Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë ka mbetur në qëndrimin se është jokompetente për tejkalimin e situatës, me çka problemi konkret i qytetarit vazhdon të mbetet i pazgjidhur, alarmon Avokati i Popullit.

​Ky bashkëqytetar 48-vjeçar, i cili është njeri familjar, që para shumë vitesh ka duhur t’i lëshohet certifikatë e re e lindjes, e cila i nevojitet për të nxjerrë dokumente të reja personale. Në këtë mënyrë, ai është një i burgosur në shtetin e tij, të cilit nuk i takon asnjë e drejtë. Shteti e ka fshirë gabimisht, por edhe pse gabimi është vërtetuar, nuk dëshiron ta regjistrojë sërish mes të gjallëve!

Të fundit