Sot edhe zyrtarisht u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Qeverisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë. Pas nënshkrimit autoritetet njoftuan se punimet për ndërtimin e këtij projekti të rëndësishëm strategjik do të fillojnë në gusht të këtij viti.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se me këtë marrëveshje po konkretizohet një premtim që, sipas tij, është përsëritur për vite me radhë nga qeveritë e mëparshme. Ai theksoi se autostrada ka mbetur për një kohë të gjatë simbol i premtimeve të parealizuara.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër – 22.17-
Kjo autostradë me vite ka qenë simbol i premtimeve të pa realizuara, thuajse të gjitha Qeveritë e kanë premtuar. Secila Qeveri para zgjedhjeve premtonte se do ta ndërtojë, ndërkaq parti të caktuara politike kanë rrahur gjoks duke premtuar se janë pikërisht ata që kujdesen këtë pjesë të shtetit. Në fund, të gjitha këto mbeten fjalë boshe, përveç blerjes së disa parcelave në këtë pjesë të kësaj autostrade nga disa persona me prapavi dyshuese dhe që lidhen me parti të caktuara politike, gjithçka tjetër mbeti vetëm premtim.
Për rëndësinë e projektit foli edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas. Ai vlerësoi se investimi nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimin e infrastrukturës, por edhe me afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
MIHALIS ROKAS – Ambasador i BE-së
Nënshkrimi i sotëm është më tepër se financim në infrastrukturë, është investim për të ardhmen, është projekt që afron vendin me BE-në. Është project që përmirëson jetën e njerëzve dhe shoqërisë. Prandaj, dua të falemderoj të gjithë ata që janë të kyçur në këtë projekt. Jemi krenarë që kemi 41 milion euro në formë të granteve që përfshijnë 37 milion për ndërtim dhe mbikqyrje dhe së bashku me huamarjen nga Banka Evropiane për Zhvllim, ky investim që kap shifrën mbi 235 milion euro është një nga projektet më të rëndësishme për vendin.
Autoritetet e cilësuan projektin si një investim me rëndësi të veçantë, duke theksuar se përfundimi i autostradës do të përmirësojë lidhjen rrugore me Kosovën, si dhe do të krijojë qasje më të shpejtë drejt Shqipërisë dhe Portit të Durrësit.
Për financimin e këtij projekti, 30.8 milionë euro janë siguruar përmes granteve, ndërsa 167.6 milionë euro përmes kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me këto mjete do të ndërtohet pjesa e mbetur e autostradës prej 10,5 kilometrash, e cila do të përfshijë edhe pesë tunele në të dy drejtimet e qarkullimit dhe nëntë ura./Tv Koha/







