SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj një 18-vjeçare nga fshati Llojan, Komuna e Likovës, si dhe ndaj dy të miturave të moshës 14 dhe 15 vjeç nga Kumanova, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386, paragrafi 3 i Kodit Penal.
Sipas policisë, e cila edhe ka publikuar pamje të dhunës, më 13 mars 2026, rreth orës 18:00, të dyshuarat e kanë thirrur një vajzë 14-vjeçare të dalë nga shtëpia e saj, pas së cilës e kanë bindur të hyjë në një objekt pranë qendrës sportive “Sokolana” në Kumanovë. Aty fillimisht e kanë fyer, ndërsa më pas e kanë sulmuar fizikisht, duke e incizuar të gjithë ngjarjen me telefon celular.
Pas ushtrimit të dhunës, të dyshuarat e kanë kërcënuar të miturën që të mos e denoncojë rastin dhe të mos flasë për videon e incizuar, duke i thënë se, në të kundërtën, do t’i ndodhte diçka edhe më e rëndë.








