Të tjera lajme

Ish-kryeministri Gruevski shpallet i pafajshëm në çështjen “Talir 2”

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shpallur aktgjykim lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rigjykimin e rastit “Talir 2”, që kishte të bënte me ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së njofton INA.

Gjyqtarja Daniela Aleksovska-Stojanovska sqaroi se vendimi është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara në vitin 2023. Sipas saj, edhe pse ndryshimet në pamje të parë dukeshin të vogla, ato ndikuan thelbësisht në elementet e veprës penale. Ajo shtoi se Prokuroria nuk e kishte përshtatur aktakuzën me ndryshimet ligjore, as gjatë rigjykimit dhe as në fjalën përfundimtare.

Meqenëse rasti parashkruhet brenda rreth një muaji, edhe një ankesë e mundshme në Gjykatën e Apelit nuk pritet ta ndryshojë epilogun përfundimtar.

Me aktgjykimin e sotëm, VMRO-DPMNE do të mund të disponojë sërish me selinë e saj, të njohur si “Pallati i Bardhë”, e vlerësuar në rreth 14 milionë euro, si dhe me pronat e tjera partiake me vlerë prej rreth 2 milionë eurosh, të cilat ishin objekt i procedurës dhe rrezikonin konfiskimin.

Tre vjet më parë situata ishte krejtësisht ndryshe. Në vitin 2022, Gjykata Penale e dënoi Gruevskin me gjashtë vjet burg në shkallë të parë, ndërsa Kirill Bozhinovski mori dënim me kusht. Në të njëjtin vendim ishte urdhëruar edhe konfiskimi i pronës së partisë. Megjithatë, në vitin 2023, Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim.

Ndërkohë hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, si pasojë e të cilave ndjekja penale ndaj Bozhinovskit u parashkrua, ndërsa procedura vazhdoi vetëm ndaj Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së si person juridik.

Rasti “Talir 2” u hap në vitin 2019 dhe lidhej me dyshimet se selia e VMRO-DPMNE-së ishte ndërtuar përmes një donacioni të paligjshëm, përkatësisht në bazë të një marrëveshjeje me kompaninë “Beton”, e cila në atë periudhë fitonte tenderë shtetërorë. Sipas aktakuzës, në këmbim të një parcele në qendër të Shkupit, kompania ndërtoi pa pagesë selinë e partisë, gjë që Prokuroria e konsideronte si financim të paligjshëm të një partie politike./INA/

Të fundit