Të dashur qytetarë, e dashur mërgatë !
Rasti i Gostivarit është një ngjarje që na ka tronditur të gjithëve dhe njëkohësisht duhet të na vetëdijësojë e të na zgjojë nga neglizhenca, sidomos ne që jemi përgjegjës dhe bartës të proceseve institucionale.
Pa dashur të hyj në detaje apo ta politizoj këtë situatë, konsideroj se ky rast duhet të na kthjellojë që të jemi më të përgjegjshëm dhe më të rreptë në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sistemin e ujësjellësit dhe sigurinë e ujit të pijshëm.
Prandaj, është e domosdoshme që të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm dhe të mos kemi hatërmbetje kur ndërmarrja ndërmerr aksione, detekton dhe ndëshkon shkeljet, ashtu siç kemi vepruar gjatë gjithë kësaj periudhe dyvjeçare. Nuk duhet të ketë ndërhyrje aty ku vihet në rrezik jeta dhe shëndeti i qytetarëve.
Rasti i Gostivarit, por edhe shumë raste të tjera të ndodhura në periudhat e fundit, janë pasojë e neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë institucionale ndër vite, si dhe mungesës së investimeve kapitale.
Për një kohë të gjatë, ndërmarrjet publike janë shfrytëzuar kryesisht për punësime, ndërsa investimet dhe modernizimi i rrjetit të ujësjellësit janë lënë pas dore. Derisa bota ka avancuar me teknologjitë më moderne, Gostivari ende përballet me sfida për sigurimin e ujit bazë për qytetarët.
Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme kam pranuar mesazhe dhe telefonata të shumta lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm në Tetovë.
Dua t’ju informoj se, sipas analizave të fundit, Tetova aktualisht ka ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt për përdorim. Megjithatë, për të rritur edhe më tej nivelin e sigurisë dhe besimin e qytetarëve, në cilësinë e drejtorit dhe përgjegjësit që kam ndaj këtij qyteti, gjatë takimit të realizuar me drejtorin Shaqir Zulbehari, nënshkruam një marrëveshje të re që analizat e ujit të kryhen çdo ditë.
Kjo bëhet me qëllim që të rrisim qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të Tetovës.
Njëkohësisht, vlen të theksohet se do të zhvillohen aksione të vazhdueshme dhe do të ketë ndëshkime të rrepta ndaj atyre qytetarëve që rrezikojnë rrjetin e ujësjellësit përmes lidhjeve apo kyçjeve ilegale.
Prandaj, ju bëj apel të gjithëve që sa më shpejt të ndërhyjnë dhe t’i largojnë lidhjet ilegale që posedojnë, sepse në të kundërtën do të përballen me masat e parashikuara me ligj.








