Uji në Gostivar është shumë i ndotur dhe përmban baktere koliforme që tregojnë ndotje fekale, tregojnë analizat e Institutit të Shëndetit Publik, të kryera mbi mostrat e marra nga uji sipërfaqësor i kanalit të hapur. Sipas rezultateve, uji nuk mund të përdoret për asnjë qëllim.Në ujë është konstatuar prani e baktereve koliforme prej 2.419,6 njësi formuese të kolonive në 100 mililitra ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 njësi formuese të kolonive për 100 mililitra.”
Prokuroria Publike ka publikuar rezultatet e analizave të mostrave të ujit në Gostivar, të cilat konfirmojnë se uji është shumë i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim. Njëkohësisht është hapur hetim ndaj ushtrueses së detyrës së drejtoreshës dhe dy drejtuesve të tjerë të NP “Komunalec” të Gostivarit, të cilët janë ndaluar nga policia.
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka nisur procedurë hetimore ndaj tre të ndaluarve për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara me ndotjen e ujit për pije.”
Sipas hetimeve, më 25 qershor ata kanë urdhëruar punonjësit e ndërmarrjes të vendosin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur me substanca të dëmshme, pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit të ujit.
Më 16 korrik, gjatë ekspertizës në vendngjarje, është konstatuar se dy nga pompat zhytëse ishin ende në funksion dhe, përmes gypave shtytës të vendosur nëpër hapjen e tejmbushjes, transportonin ujë me substanca të dëmshme dhe baktere koliforme nga sistemi i hapur – kanali – në dhomën ku ndodhej uji i sistemit të mbyllur të furnizimit me ujë të pijshëm me cilësi të përcaktuar.
Si pasojë, në sistem ka ndodhur përzierja, përkatësisht transferimi i ujit të ndotur nga kanali në gypin kryesor të furnizimit me ujë.
Me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar mostrat e ujit të marra nga kanali i hapur. Analizat kanë treguar se uji është shumë i ndotur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim, për shkak të pranisë së 2.419,6 njësive formuese të kolonive (CFU) për 100 mililitra të baktereve koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 CFU për 100 mililitra.
Në mostrat e marra nga burimi i kaptuar është konstatuar numër i shtuar i kolonive bakteriale aerobike mezofile, si dhe prani e baktereve koliforme.
Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, uji është shpallur i papërdorshëm dhe i pasigurt për konsum dhe përdorim nga njerëzit.
Gjithashtu është analizuar një mostër uji nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar përqendrim i lartë i klorit.
Duke pasur parasysh se pasojat e ndotjes nuk mund të eliminohen lehtësisht, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se është kryer vepra penale për të cilën po zhvillohet hetimi.








