Në mbledhjen e sotme të 195-të, Qeveria, me propozim të Komitetit Drejtues, të përbërë nga ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angellov, si dhe anëtarët e jashtëm – ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muhamed Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Borçe Serafimovski, drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Oliver Milanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor Ivana Ginovska dhe kryetari i BNJVL-së dhe njëherësh kryetar i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në Komunën e Gostivarit për një periudhë prej 30 ditësh.
Duke qenë se vetëqeverisja lokale nuk është në gjendje të përballet me situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit, sic thuhet në komunikatë, Qeveria mori këtë vendim me qëllim të koordinimit më të shpejtë të institucioneve, rikthimit në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimit të ujit të pijshëm për qytetarët në afatin sa më të shkurtër.
Shëndeti i qytetarëve të Komunës së Gostivarit mbetet prioritet i Qeverisë dhe institucionet janë të përkushtuara për zgjidhjen e plotë të këtij problemi – thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Njëkohësisht, Qeveria pret që Prokuroria Publike të zhvillojë një hetim të detajuar dhe ta zbardhë plotësisht rastin, duke theksuar se duhet të ketë përgjegjësi për secilin që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.








