Të tjera lajme

Shtatë ndeshje të Botërorit 2026 nën dyshime për manipulim të mundshëm të basteve

Shtatë ndeshje të Kupës së Botës 2026 janë raportuar si të dyshimta për manipulim të mundshëm të lidhur me bastet nga Grupi i Kopenhagës, rrjeti ndërkombëtar që monitoron dhe parandalon trukimin e garave sportive.

Raporti i plotë ende nuk është bërë publik, por Këshilli i Evropës ka publikuar një përmbledhje të gjetjeve, pasi FIFA kishte deklaruar se analizat e saj nuk kishin identifikuar lëvizje të dyshimta në tregjet e basteve.

Grupi i Kopenhagës ka lëshuar shtatë alarme të verdha, të cilat tregojnë një nivel të moderuar dyshimi dhe nevojën për verifikime të mëtejshme. Një alarm i tillë nuk nënkupton se një ndeshje është manipuluar, por se janë evidentuar elemente të pazakonta, si luhatje të kuotave, informacione të pakonfirmuara dhe aktivitete të dyshimta në tregjet e basteve apo në rrjetet sociale.

Për këtë arsye, rrjeti ndërkombëtar ka kërkuar informacione shtesë nga FIFA.

Një nga rastet që ka tërhequr më shumë vëmendje lidhet me sulmuesin amerikan Folarin Balogun. Platforma e parashikimeve me kriptomonedha “Polymarket” kishte hapur një treg bastesh lidhur me aktivizimin e tij në ndeshjen ndaj Belgjikës, ndonëse ai ishte i pezulluar pas një kartoni të kuq.

Pezullimi më pas iu anulua dhe Balogun u aktivizua në takim. Sipas raportimeve, një treg i ngjashëm nuk ishte hapur për asnjë nga 14 futbollistët e tjerë të ndëshkuar me karton të kuq gjatë turneut.

Në analizë është përfshirë edhe ndeshja e fazës së grupeve ndërmjet Spanjës dhe Kepit të Gjelbër, e cila përfundoi pa gola. Në platformën “Polymarket” raportohet se ishin vendosur rreth 4.8 milionë dollarë baste që Spanja të mos e fitonte ndeshjen.

Nën shqyrtim është marrë edhe vonesa prej rreth tre minutash e gjysmë e sistemit VAR për anulimin e një goli të Ferran Torresit në fitoren 4-0 të Spanjës ndaj Arabisë Saudite.

Megjithatë, këto alarme nuk përbëjnë prova për manipulim. Ato shërbejnë vetëm si sinjale për situata të pazakonta që kërkojnë hetim dhe verifikim të mëtejshëm.

FIFA vazhdon të mbajë qëndrimin se deri më tani nuk janë evidentuar prova që ndeshjet e Kupës së Botës 2026 janë manipuluar.

Të fundit