Të tjera lajme

Ndryshohet perceptimi për arsimin profesional, gjatë viteve të fundit është rritur interesimi për të mësuar shkathtësi

Kompania e mobilieve “Acevski” në Bardovcë të Shkupit, e cila ekziston mbi 25 vite, dy vitet e fundit ka marrëveshje me shkollën e mesme “Georgi Dimitrov” për trajnim praktik të nxënësve të tyre në punë me materiale druri. Firmën me rreth 40 punëtorë sot e vizituan ambasadorja e Zvicrës, Veronik Ulman, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të RMV-së, Antoni Peshev. Në prag të regjistrimeve në arsimin e mesëm, qëllimi i vizitës ishte inkurajimi i gjysmëmaturantëve që të zgjedhin arsimin profesional dhe të profilizohen në kuadro sipas nevojave të tregut, ndërsa “Acevski” u përmend si shembull se përveç kompanive të mëdha, gjithnjë e më shumë kompani të vogla po hapin dyert për formimin profesional të nxënësve.

Ambasadorja Ulman theksoi se për arsim të mirë profesional është i nevojshëm partneritet mes sektorit privat, odave dhe institucioneve, dhe se Zvicra edhe më tutje do ta vazhdojë mbështetjen e arsimit profesional në vend.

“Zvicra e mbështet këtë reformë në sistemin arsimor dhe qëllimi i nxënësve është që të arrijnë shkathtësi, të shohin çka duan me të vërtetë në punën e tyre dhe pastaj më lehtë të gjejnë vende të punës”, tha Ulman e cila i porositi prindërit që t’i dëgjojnë dhe mbështesin fëmijët e tyre në zgjedhjen e tyre sepse, siç tha, arsimi profesional është drejtimi më i mirë për ata.

Ministri Shaqiri ju bëri thirrje të rinjëve që të fokusohen në arsimin e mesëm profesional si zgjedhjen më të mirë e cila ofron gjasa më të mëdha për të ardhme të mirë. Theksoi se suksesi dhe rezultatet të cilat janë arritur me fushatën e MASH-it me komunat dhe kompanitë për promovimin e arsimit profesional.

“Më 20 qershor fillojnë regjistrimet në shkollat e mesme dhe Ju bëj thirrje të rinjëve që të fokusohen në arsimin e mesëm profesional, i cili vlerësoj se është zgjedhje e duhur dhe ofron probabilitet më të madh për një të ardhme të mirë. Vendi ka deficit të kuadrit profesional dhe shumë vende të punës me të ardhura solide, ku kërkohen punëtorë të kualifikuar, nuk janë të plotësuara. Kështu që, me diplomë të shkollës së mesme profesionale do të mund të punësohen më lehtë, por do të kenë edhe bazë të mirë për arsimim të mëtejshëm akademik”, deklaroi Shaqiri

Shaqiri shtoi se “procesi arsimor në shkollat e mesme profesionale është vërtet interesant dhe cilësor, sepse në pjesën më të madhe të tyre zbatohet koncepti i arsimit dual të cilin e kemi prezantuar, zhvilluar, zbatuar dhe promovuar së bashku me komunitetin e biznesit, me odat, me vetëqeverisjet lokale dhe me mbështetjen e madhe të Ambasadës Zvicerane”.

Ministri potenoi se për nxënësit është ofruar mësimdhënie praktike, në llogari të teorisë së mësimdhënies edhe atë drejtëpërdrejtë në vend pune në kompani. Këtë vit mbi 450 kompani do të pranojnë nxënës për trajnime praktike, ndërsa do të ndahen rreth 1500 bursa për nxënësit të cilët do të zgjedhin arsimin profesional dual dhe në përgjithësi arsimin e mesëm profesional sikurse edhe viteve të mëparshme.

“Prandaj e gjithë kjo le të jetë motiv që semi-maturantët të zgjedhin shkollat e mesme profesionale dhe t’i sigurojnë vetes një të ardhme më të mirë dhe secili sukses i tyre në të ardhmen të jetë edhe një kontribut për përparimin e vendit”, shtoi ministri.

Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të realizohet në një afat regjistrimi me dy paraqitje në muajin qershor, më 20 dhe 21 qershor dhe paraqitja e dytë më 27 dhe 28 qershor 2023, përmes portalit të shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës https://e-uslugi.mon.gov.mk me lajmërimin e nxënësve të shkollave të mesme përmes llogarive të tyre të përdoruesve në Schools.mk.

Në shkollat ku do të regjistrohet numër më i madh i nxënësve se numri i paraparë, të cilët i plotësojnë kushtet e përcaktuara, do të organizohet testimi kualifikues në bazë të materialit mësimor të lëndëve të caktuara nga klasa e tetë dhe e nëntë.

Me Konkurs janë paraparë reth 30 mijë vende të lira në 937 paralele, nga të cilat 279 paralele janë planifikuar për arsimin e mesëm- Gjimnaz dhe 658 paralele për shkollat e mesme profesionale. Në bashkëpunim me komunat dhe kompanitë në vend janë siguruar 6475 vende të lira në 259 paralele në arsimin dual profesional.

Antoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të RMV-së, theksoi se pas 15 viteve të punës së Odës për ndryshimin e perceptimit të arsimit profesional, kjo tani shihet krejtësisht ndryshe si nga fëmijët ashtu edhe nga familjet e tyre.

Pronari i firmës së mobiljeve “Acevski”, Ace Acevski, tha se çdo vit përfshihen gjashtë deri në shtatë nxënës të shkollave të mesme nga “Georgi Dimitrov” dhe se kjo është e përshtatshme për kapacitetin e tyre. Ata kanë kontratë dyvjeçare me shkollën./zhurnal/

Të fundit