Me sa duket gjërat në Aleancën për Shqiptarët po bëhen të qarta. Pas informacioneve të vazhdueshme për mendime ndryshe në parti se si të dilet në zgjedhje – vetë, me BDI-në apo me LEN-in, sot kryetari i ASH-së Arben Taravari pohoi se do të pajtohet me vendimin e Kuvendit Qendror të partisë se si do të dilet në zgjedhje.
“Do t’i shohim rrethanat. I dëgjojmë edhe rekomandimet, por në fund në Kuvend sillet vendimi definitiv. Mund të jetë i njëjti por mund të jetë edhe i ndryshëm, varësisht prej kuvendarëve”, u shpreh më tej Taravari.
Sela mbrëmë në një intervistë për Alsat tha se është idhtar i idesë që në zgjedhje të dilet vetë dhe se i të njëjtës bindje është edhe Arben Taravari. Por pos kësaj, gjatë intervistës Sela disa herë përmendi koalicionet politike të ASH-së në të kaluarën, duke shtuar se e kaluara vlen shumë që të mos bëhen gabime në të ardhmen, e duke aluduar këtu tek opozita shqiptare për të cilën tha se “nuk e di se çfarë garancie mund te japin tek ASH, kur ata nuk garantojnë dot veten”.
“Unë nuk e besoj, por e dini si, partitë politike…mund të ketë lëvizje, njerëz që mendojnë ndryshe ka pasur vazhdimisht, dikush ka hyrë, dikush ka dalë, kështu që unë mendoj se do të respektohen vendimet e organeve partiake. Nëse ka dikush që e sheh më ndryshe sesa vendimi i organeve partiake, s’kemi çfarë të bëjmë”, shtoi Taravari.
Vendimin final ASH pritet ta marrë javën e ardhshme.







