Kryeministri Mickoski, gjatë bisedës, ka potencuar nevojën për kujdes të shtuar dhe koordinim për sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë që gjenden në rajon.
“Maqedonia, si anëtare e NATO-s dhe partner strategjik të SHBA-së, mbetet fuqimisht e përkushtuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në kohë të pasigurisë në rritje, të domosdoshme janë përgjegjësitë, koordinimi me aleatët dhe përcaktimi i qartë për parandalimin e eskalimit të mëtutjeshëm” – shkruan Kryeministri Mickoski në Facebook.
Nga ana tjetër, VLEN thekson se vendi ynë, si anëtar i NATO-s, qëndron fuqishëm në krah të aleatëve tanë dhe mbështet çdo përpjekje që synon ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global. Siguria e përbashkët është përgjegjësi e përbashkët, dhe në këtë kuadër, solidariteti me aleatët tanë është i panegociueshëm.
VLEN Ne besojmë se paqja nuk është vetëm mungesë konflikti, por prani e drejtësisë, stabilitetit dhe rendit ndërkombëtar. SHBA-ja ka qenë dhe mbetet faktor kyç në garantimin e këtyre parimeve. Maqedonia e Veriut çdoherë do të jetë krah SHBA, si partner i përhershëm strategjik dhe si shtet që e sheh të ardhmen e tij të lidhur ngushtë me botën demokratike dhe euroatlantike.
Solidaritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përpjekje për të mbrojtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale – ka shprehur edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Aleanca me SHBA-në nuk është vetëm një orientim diplomatik. Ajo është një përcaktim strategjik dhe vleror. Është zgjedhja jonë për të qenë në anën e demokracisë, të lirive themelore, të shtetit të së drejtës dhe të përgjegjësisë ndërkombëtare. Vendi ynë, e veçanërisht populli shqiptar e di mirë se çfarë do të thotë mbështetja amerikane në momentet vendimtare të historisë sonë, prandaj edhe sot ne qëndrojmë përkrah partnerit tonë më të madh strategjik” – shkruan Ali Ahmeti.
Ndërkohë, kur jemi te aleancat me NATO-n dhe SHBA, vjen edhe njoftimi se nesër në vendin tonë do të qëndrojë Sekretari I Përgjithshëm I NATO-së, Mark Rute.
Sipas agjendës, ai do të pritet me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake nga Presidentja Siljanovska, Kryeministri Mickoski dhe Kryeparlamentari Afrim Gashi, kurse do të merr pjesë edhe në një stërvitje të Armatës.
Kjo do të jetë vizita e parë e Mark Rute si Sekretar I Përgjithshëm I NATO-s. Ai qëndroi në Shkup në vitin 2021 por si Kryeministër I Holandës.
Në vitin 2023 për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut qëndroi ish-Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.







