Të tjera lajme

NIS KTHIMI I SENDEVE PERSONALE NGA ZJARRI NË DISKOTEKËN E KOÇANËS!

Gati një vit pas zjarrit tragjik në diskotekën “Puls”, Policia e Koçanës njofton qytetarët se ka filluar procedura për kthimin e sendeve personale të gjetura në vendin e ngjarjes.

Të gjithë personat e lënduar, anëtarët e familjeve të viktimave, si dhe vizitorët që kanë qenë të pranishëm në objekt më 16 mars 2025, mund t’i tërheqin sendet e tyre.

Sendet  që ishin pjesë e procedurës së ekspertizës pas zjarrit përfshijnë gjësende personale që u përkisnin viktimave dhe vizitorëve.

Ndër sendet që do të kthehen janë telefona celularë, kuleta, stoli, ora dore, çanta, rroba dhe këpucë.

“Kthimi do të bëhet pas identifikimit paraprak nga pronarët ose nga anëtarë të afërt të familjeve të personave të ndjerë”, thonë nga Policia e Koçanës, duke shtuar se aksioni I kthimit do të zgjasë nga sot deri të premten nga ora 09.00 deri ora 18.00.

Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçanë humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan.

Për rastin e zjarrit në “Puls” janë akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Mes tyre janë pronari i “Puls”, persona të afërt me të, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra si dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Të fundit