Të tjera lajme

LËVIZJA DEMOKRATIKE: HAP I MADH DREJT ZYRTARIZIMIT TË VLEN-it! 

Zyrtarizimi i VLEN si një forcë e bashkuar politike ka qenë tema e takimit të mbrëmshëm të strukturave partiake të Lëvizja Demokratike, të udhëhequr nga Izet Mexhiti.Sipas njoftimit të partisë, takimi është mbajtur me propozim të Mexhitit.

Strukturat partiake të Lëvizjes Dmokratike kanë vendosur njëzëri t’i japin Izet Mexhitit autorizimin për të vazhduar procesin e transformimit të partisë dhe shkrirjes së saj në VLEN si një strukturë e bashkuar, e fuqishme dhe moderne politike.

Në komunikatë theksohet se në takim është manifestuar pjekuri e lartë politike dhe është pranuar mesazhi i shumicës së shqiptarëve. Nga partia shprehen të bindur se po krijojnë një mundësi historike që VLEN të vazhdojë konsolidimin dhe të forcojë rolin si përfaqësuesi kryesor i vullnetit të shumicës së shqiptarëve.

“Ky hap konsolidon skenën politike shqiptare dhe vendos themele të forta për pjesëmarrje dhe ndikim më të madh të shqiptarëve në jetën e ardhshme politike”, thuhet në reagimin e partisë.

Muajin e kaluar, vendimin për bashkimin e disa partive politike, që aktualisht janë pjesë e koalicionit VLEN, në një subjekt të vetëm politik, e miratoi edhe Lëvizja Besa.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se Kuvendi e ka autorizuar atë si kryetar për të vazhduar bisedimet për të ardhmen e VLEN-it, duke dhënë mbështetje për bashkimin në një subjekt të vetëm me një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe dëgjon vullnetin e votuesve të VLEN-it dhe të gjithë shqiptarëve.

Kjo vendimmarrje e Besës u mbështet një ditë më pas edhe nga Mexhiti, duke theksuar se në disa raste liderët e koalicionit kanë diskutuar mundësinë që VLEN të funksionojë si një subjekt i vetëm politik, pasi kjo kërkohet nga anëtarësia dhe strukturat lokale.

I pyetur se kush do të ishte lideri i subjektit të mundshëm të bashkuar, Mexhiti u shpreh se në këtë fazë nuk po diskutohet për zgjidhje personale. Ndërsa Kasami, në një pyetje të gazetarëve nëse ai do të ishte kryetar i partisë së re të përbashkët në kuadër të VLEN-it, tha se ekzistojnë disa opsione për diskutim dhe se është i gatshëm të marrë përgjegjësi nëse bashkarisht vlerësohet se duhet ta bëjë këtë.

Të fundit