Të tjera lajme

NXËNËSIT E MANASTIRIT FESTOJNË 7 MARSIN NË TIRANË

Fëmijët e Manastirit nga biblioteka “Linkest” me mbështetjen e ngrohtë të Ambasadorit Shqiptar në Maqedoni të Veriut, Denion Meidani, patën mundësinë të udhëtojnë drejt Shqipërisë për një përvojë të paharrueshme.

Në Tiranë, ata u pritën me zemër të hapur nga shkolla nikoqire Dorsa d’istria, ku pritja ishte e mbushur me shfaqje artistike, poezi dhe valle, që krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Nxënësit nga Tirana i mirëpritën vëllezërit dhe motrat e tyre nga Manastiri me këngë, pankarta mirëseardhëse dhe flamuj kombëtar, duke shprehur me emocione të sinqerta gëzimin e takimit dhe lidhjen e fortë mes tyre.

Pas një dite të mbushur me aktivitete dhe emocione në shkollë, fëmijët nga Manastiri së bashku me Ambasadorin Meidani u ftuan në emision në Radio Televizioni Shqiptar, ku ndanë përshtypjet e tyre dhe gëzimin për këtë takim të veçantë. Por udhëtimi nuk përfundoi këtu – ata vizituan edhe zyrat e kryeministrisë, ku u pritën me mikpritje të veçantë nga i pari i Qeverisë shqiptare Edi Rama. Ky takim, i mbushur me buzëqeshje dhe emocion, la një kujtim të paharrueshëm në zemrat e fëmijëve.

E gjithë kjo ngjarje ndodhi të premten, në vigjilje të festës së 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke e bërë këtë përvojë edhe më domethënëse dhe simbolike, si një shprehje e respektit dhe dashurisë ndaj dijes dhe edukimit që bashkon gjeneratat shqiptare përtej kufijve.

Të fundit