Të tjera lajme

KONGRESMENËT: MOS I REDUKTONI FORCAT AMERIKANE NË KOSOVË!

12 kongresmenë dhe senatorë amerikanë në një letër dërguar sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, shprehin shqetësimin e thellë për raportimet se administrata e Donald Trump mund të reduktojë prezencën e ushtarëve amerikanë në Kosovë, si pjesë e misionit të KFOR-it.

Në të theksohet se në një kohë të brishtësisë së lartë politike dhe rritjes së ndikimeve keqdashëse në Ballkanin Perëndimor, reduktimi i këtyre forcave do të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin, e veçanërisht Bosnje Hercegovinën.

“Çdo reduktim i personelit ushtarak amerikan mund të ketë pasoja të konsiderueshme jo vetëm për kapacitetet operacionale të forcës paqeruajtëse, por edhe për të dobësuar rolin e KFOR-it si një faktor politik parandalues për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë” shkruhet në letër.

Gjithashtu reduktimi i këtyre trupave shihet edhe si një pengesë e mundshme për sa i përket ecurisë së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Duke qenë se inteligjenca e fundit tregon se nuk ka ndryshim në ndikimin keqdashës rus në rajon, ne nuk duhet të reduktojmë trupat amerikane dhe të lëmë hapësirë shtesë për aktivitetin rus”, theksohet gjithashtu në letër.

Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me deri në 500 trupa në një forcë paqeruajtëse prej rreth 5000 ushtarësh në total që ka misioni i KFOR-it në Kosovë.

Të fundit