Të tjera lajme

STUDENTI OMER ALIJA: SI U EVAKUOVA NGA DUBAI?!

Studenti Omer Alija ka qenë në mesin e 17 studentëve dhe 150 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët me aeroplanin qeveritar janë evakuar nga Dubai. Ai në emision “Pas Dite” në Tv Koha, ka rrëfyer organizimin e evakuimit por edhe jetën atje në kushte të krizës së luftës.

Çështja e evakuimit nisi të dielën kurse fluturimi ndodhi të martën. Kështu tha studenti Omer Alija në emisionin “Pas Dite” në Tv Koha duke falënderuar Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdulkadër Memedin, sic thotë, për organizimin e shpejtë dhe të mirë të evakuimit.

Ai ka qenë në mesin e 150 shtetave të Maqedonisë së Veriut, prej të cilëve, 17 studentë, që të martën mbërritën nga Dubai në Shkup.

“Fluturimi ka qenë i organizuar nga Ambasada dhe gjithcka ka qenë e mbuluar nga Ambasada, duke filluar nga fluturimi e deri sa jemi kthyer këtu në Maqedoni. Fluturimi ka qenë direkt, do të thotë kemi fluturuar nga Dubai në Shkup, e jo si zakonisht që jemi mësuar të udhëtojmë përmes Turqisë dhe kjo në një farë forme largon peshën e udhëtimit, për shkak se e ke atë mundësinë e vogël për të pushuar derisa je në Turqi dhe kësaj rradhe fluturimi ishte direkt Dubai – Shkup, ka qenë fluturim i gjatë. Lodhja ka ekzistuar, por kur e mendon arsyen e udhëtimit dhe momentin se cilin do e takosh kur të mbërrish në vendlindje ajo harrohet dhe zhduket nga mendja”  

Studenti Alija ditët e nisjes së krizës i quan mjaft me tensione. Thotë se kanë patur shumë probleme me lajmet e rreme dhe dezinformatat që më tepër kanë shtuar panikun dhe frikën. Duke marrë parasysh kufizimet shtetërore të informacioneve, ai thotë se për zhvillimet në Dubai është njoftuar nga shokët e tij në Maqedoni.

Rrezik sipas tij kanë qenë pjesëzat e dronëve iranianë që shkatëroheshin në ajër dhe binin në tokë.

“Kjo në një farë forme ngjalli një frikë, pavarësisht se në zonën ku jetojmë ne, në një farë forme, ishim të sigurtë se nuk do të ndodhte dicka, por pavarësisht se si bëhej interceptimi i dronëve që thuhej se vinin nga Irani, interceptoheshin në qiell dhe pjesëzat që binin në tokë, nuk dihej se ku do të bien dhe shumica e dëmeve që kanë ndodhur në vendet dhe ndërtesat në Dubai, janë si shkak i pjesëzave të dronëve që kanë rënë në tokë”

Para se të kthehej në vendlindje, studenti Omer Alija shprehet se Dubai kishte nisur ta humbte shkëlqimin e qytetit të turistëve.

“Para kthimit tim pashë se si në zonat turistike të cilat ekzistojnë në Dubai dhe me të cilat jemi mësuar të jenë të ngarkuar me njerëz, pashë se si numri kishte filluar të rrallohet dhe shumica e njerëzve që kishin qenë për udhëtim apo për vizitë janë larguar në momentin e parë. Por, për ata që mbetën atje shteti bëri një organizim të bukur duke ua paguar akomodimin dhe ushqimin”

Ndryshe, autoritetet e vendit njoftojnë se deri tani janë realizuar katër fluturime për evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga rajoni i Lindjes së Mesme, ku janë kthyer në vendlindje 458 udhëtarë.

Të fundit