24/04/2024
8.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

A do të rritet për 20% çmimi i energjisë elektrike në Maqedoni?

Nëse Bullgaria nuk i liron kapacitetet për furnizim me gaz, me taksën e re të vendosur, çmimi i energjisë elektrike dhe ngrohjes do të rritet për 20%, paralajmëron kryeministri Dimitar Kovaçevski duke shtuar se për këtë çështje kanë reaguar edhe në BE, ndërsa theksoi se nuk do të rreshtin së kërkuari heqjen e taksës si dhe lirimin e kapaciteteve.

“Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa për lirimin e kapaciteteve të gazit si dhe të kërkojmë që taksa mos të vlejë sepse është vendosur në mënyrë të padrejtë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me parimet e tregut dhe direktivat e Bashkimit Europian dhe nëse duhet këtë do ta bëjmë edhe nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Duke folur për këtë çështje, ditë më parë Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se do të kërkohet dëmshpërblim në rast se nuk lirohen kapacitetet furnizuese. “Do të bëjnë përpjekje që të lirohen kapacitetet, ne presim vendimet e tyre, në të kundërtën, nëse nuk lirohen, do t’i shfrytëzojmë kapacitetet që i kemi tani dhe gjithsesi se do të kërkojmë dëmshpërblim shtesë se pse, sepse ne kërkojmë vetëm lirim të kapaciteteve, ne nuk përzihemi në politikën e tyre tatimore dhe vendosjen e taksave shtesë. Çdo shtet ka të drejtë për vendosjen e taksave shtesë, por të shantazhosh një shtet tjetër në këtë formë, është e papranushme dhe në kundërshtim me parimet e BE-së”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Përndryshe, sipas parashikimeve të ministrit Bekteshi, ky dimër nuk do të jetë më i vështirë se i kaluari në fushën e energjisë, pavarësisht konfliktit të ri në Lindjen e Mesme që shkaktoi rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe vendosjen e tarifës prej 10 eurosh nga ana e Bullgarisë për transportin e një kilovat orë gaz natyror rus përmes tubacionit bullgar.

Të fundit