Partitë e pushtetit dhe opozitës dolën me qëndrime të ndara nëse vendit I duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Njohësit e rrethanave politike në vend nuk besojnë në zgjedhje të shpejta. Ky ishte reagimi pasi dje me deklaratën e tij, Kryeministri Mickoski, trazoi skenën politike në vend.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut është rikthyer sërish në skenë, jo si një domosdoshmëri institucionale, por si një sinjal politik. Shkak për këtë u bë deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se “së shpejti do të ketë zgjedhje”, pa sqaruar nëse bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme parlamentare apo për një përballje më të gjerë politike me opozitën. Dilema nuk është vetëm nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja më e rëndësishme është pse do të kishte zgjedhje tani, kujt i konvenon kjo dhe çfarë do të përfitonin qytetarët nga një cikël tjetër zgjedhor, në një vend që prej kohësh jeton në situatë të fushatës së vazhdueshme.
Televizioni Koha doli të hulumtojë opinionin publik në Tetovë. Qytetarët e anketuar, duken të painteresuar nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme
“Çfarë më duhen mua zgjedhje të parakohshme, unë jam shqiptar, nuk jam maqedonas. Pyeti ata”
“Ne nuk vendosim”
“Po”
“Për mua ndaç le të mbahen, ndaç j. Ata që janë në karrige ata fitojnë, ne jemi vetëm djathtë e majtë”
“Nuk e dijmë”
“Ju betohem në zot se me politikën e vendit nuk merrem aspak”
Qytetarëve nuk u duhen zgjedhje. U duhet një pushtet që jep rezultate, një opozitë që kontrollon dhe propozon, institucione që nuk frikësohen nga thirrje partiake telefonike, një ekonomi që nuk jeton nga premtimet dhe perspektivë evropiane që nuk shfrytëzohet si përballje e politikës ditore.
Zgjedhjet e parakohshme kur janë të domosdoshme paraqesin dalje demokratike, kur janë taktizime janë lodhje demokratike.
Maqedonia që moti është lodhur nga zgjedhjet dhe votimet. Është e lodhur nga politikanë që çdo llogari personale e paraqesin si nevojë të popullit./ Tv Koha/







