13/10/2024
9.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

A ka mundësi për parregullsi zgjedhore? OSBE-ODIHR: Vijmë me 230 mbikëqyrës për shkak të zgjedhjeve të dyfishta

Shefja e misionit mbikëqyrës të OSBE/ODIHR-së Xhilian Stirk, nuk dha përgjigje konkrete nëse numri i shtuar i mbikëqyrësve për zgjedhjet e ardhshme do të thotë se kanë informacione për parregullsi të mundshme, siç pohojnë partitë politike shqiptare. Stirk tha se numri i shtuar i mbikëqyrësve është për shkak të zgjedhjeve të dyfishta.

“Numri i mbikëqyrësve bazohet në rekomandimet e misionit për vlerësimin e nevojave dhe se ka dy lloj zgjedhjesh që do të mbahen në të njëjtën ditë dhe nuk është diçka e pazakonshme që të kemi numër të madh të mbikëqyrësve dhe se kërkojmë numër të madh të mbikëqyrësve”, tha Xhilian Stirk, OSBE-ODIHR.

Nga koalicioni VLEN këto ditë akuzuan se misioni OSBE/ODIHR-së e rriti numrin e mbikëqyrësve për shkak se druajnë nga parregullsi në zgjedhjet e ardhshme, si shtet me demokraci të brishtë.

“A përgatit BDI terren për të shkaktuar krizë politike pas zgjedhjeve që të mund qeveria teknike e Talat Xhaferit ta vazhdojë jetën e saj teknike?”, pohoi Amir Elezi, VLEN (16.03.2024).

Akuzave të tilla, BDI-ja iu përgjigj përmes një deklarate se i ndjekin akuzat e opozitës shqiptare ndaj Bujar Osmanit dhe Xhaferit, por që të gjithë, siç thanë, ishin pjesë e skenarit rus për të mos pranuar rezultatet e zgjedhjeve dhe të shkaktojnë trazira politike pas 8 majit. Megjithatë, nga OSBE-ODIHR thonë se do të ketë një ekip prej 12 ekspertëve ndërkombëtarë dhe përveç kësaj, ekspertë afatgjatë dhe afatshkurtër.

“Përveç ekipit kryesor do të kemi edhe një grup ekspertësh afatgjatë, prej 20 personave që do të shpërndahen në vend në ekipe prej 2 personave. Ne po ashtu kërkuam 300 mbikëqyrës afatshkurtër që duhet të vijnë para zgjedhjeve, disa ditë para zgjedhjeve, do të shkojnë në vendvotimet, do t’i monitorojnë zgjedhjet dhe procesin e numërimit të votave dhe rezultatet”, deklaroi tha Xhilian Stirk, OSBE-ODIHR.

Në lidhje me atë nëse miratimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së që kanë të bëjnë me disa ndryshimet e Kodit zgjedhor u sollën tepër me vonesë, Stirk tha se ende janë në fazë të analizimit dhe se tani fillojnë me vlerësimet se sa prej rekomandimeve të tyre janë harmonizuar. Shefja e misionit njoftoi se e kanë mbajtur takimin e parë me KSHZ-në.

Të fundit