19/05/2024
19.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Analizë/ A vendos çdoherë populli se kush duhet të qeverisë me vendin?

Pyetja ose konstatimi se populli vendos se kush futet në Qeveri e kush mbetet jashtë është më tepër frazë kuptimore që zë vend dhe ka logjik deklarative, por nëse zbritet dhe shihet në terren se nëse vërtetë qëndron kjo, është krejtësisht çështje tjetër. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fazë tranzicioni për kalim nga sistemi komunist në atë demokratik. Por, nëse flasim për nivelin e demokracisë kjo gjë ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me sistemin e zgjedhjeve, përmes të cilës edhe përcaktohet se sa zgjedhjet zhvillohen në mënyrë demokratike, a abuzohet vota e qytetarit e të tjera. Maqedonia e Veriut ka sistem parlamentar, ku Qeveria duhet ta marrë besimin e Kuvendit apo shumicës parlamentare për të funksionuar. Por, realiteti politik në vendin tonë tregon që jo çdoherë populli e ka fuqinë të vendos se kush duhet të qeverisë me vendin. Për tri arsye tejet të rëndësishme, e para ka të bëjë kryesisht me vullnetin pjesërisht të lirë të popullit apo mungesën e demokracisë ideale, e dyta pazaret politike që bëhen pas zgjedhjeve, dhe e treta parregullsitë gjatë procesit zgjedhor. Një mangësi tjetër tejet e madhe ka të bëjë edhe me listat e mbyllura, ku qytetari duhet të votojë logon e partisë dhe jo kandidatin. Prandaj, ka dallim të madh mes pyetjes a duhet dhe a vendos çdoherë populli, shkruan Zhurnal.

Populli duhet të vendos por jo çdoherë e ka mundësinë të zgjedh se kush do të qeverisë me vendin –

Në emër të popullit mbase flet secili, edhe ata që nuk e kanë të drejtën legjitime, populli gaboi, populli duhet kështu, veproi ashtu, pra masa popullore siduket ka krijuar mundësinë që secili ta luaj rolin supervizorit duke sugjeruar e korrigjuar. Sikurse bëhet fjalë për ndonjë turmë të pa organizuar e pa vetëdije të plotë.

Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut po bëhen ditë e më dramatike, me takime, kërkesa e kushte të çuditshme. Interesant është fakti që liderët e dy partive më të mëdha maqedonase pavarësisht inateve, sharjeve e shpifjeve që bëjnë njëra për tjetrën kur vjen momenti për ndonjë çështje me interes nacional ulen kokë më kokë dhe diskutojnë e marrin vendime pa u konsultuar fare me partitë shqiptare, sikur mos të ekzistonin fare.

Vendi aktualisht ndodhet përballë një sfide të madhe për sa i përket vazhdimit të rrugëtimit për anëtarësim në BE. Por, para kësaj vendi është i detyruar të bëjë ndryshimet kushtetuese dhe futjen e bullgarëve si pjesë e preambulës në kushtetutën e RMV-së. E për këto ndryshime duhet 2/3 e votave në Kuvend, apo 80 deputetë që shumica aktuale e ka të pamundur të sigurojë këtë numër votash. Nga opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, kategorikisht ishin kundër, por tani kanë ndryshuar qëndrimin dhe kanë zbutur deklaratën janë “për”, por kërkojnë disa kushte. E ky ndryshim në qëndrim nga një ekstrem në ekstremin tjetër erdhi pas takimit kokë më kokë të Dimitar Kovaçevskit kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, me Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-së.

Kushtet e VMRO-së kanë të bëjnë kryesisht me daljen e BDI-së nga kjo shumicë parlamentare, pra këto do të votojnë ndryshimet kushtetuese por vetëm nëse bëhen pjesë e qeverisë por pa pjesëmarrjen e BDI-së në atë qeveri. Pasi sipas tyre vendi duhet të çlirohet nga BDI-ja. E kjo çështje u diskutua mjaftueshëm në opinion duke e cilësuar kushtin e VMRO-së si kundërshtim i vullnetit të popullit. Pasi, populli ka vendosur që BDI të jetë në Qeveri një parti politike kërkon që BDI të dalë nga Qeveria. E nga BDI pas një ore të kërkesës së VMRO-së dolën me deklaratë se janë të gatshëm të dalin nga qeveria menjëherë edhe të prishin gjitha marrëveshjet, madje edhe atë për kryeministrin e parë shqiptarë, pra të pranojnë çdo gjë që kërkon VMRO-ja vetëm në emër të integrimit evropian, që VMRO të voton ndryshimet kushtetuese.

Nga çka varet vendosmëria e popullit se kush duhet të qeverisë me vendin –

Që një popull ta ketë shkopin magjik në dorë dhe të vendos se kjo parti duhet të qeverisë dhe kjo parti të jetë në opozitë nevojiten një varg kushtesh dhe mekanizma që shumica prej tyre mungojnë në vendin tonë. E para dhe më e rëndësishme është demokracia ideale, që pothuajse asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk e ka. Çfarë do të thotë demokraci ideale? Është ajo demokraci në të cilën populli vendos praktikisht dhe plotësisht, në atë vend ka zgjedhje të lira, media të lira, liritë dhe të drejtat e njeriut zbatohet me përpikëri e të tjera. Gjëra që kryesisht mungojnë në vendin tonë.

E dyta, ka të bëje me pazaret politike të cilat godasin në mënyrë legjitime vullnetin e popullit. Pra, pavarësisht nëse populli për cilën do parti voton në mënyrë masive dhe i siguron numrin më të madh të votave, partitë tjera me një bashkëpunim e bashkërendim të thjesht e rrëzojnë këtë vullnet dhe bëjnë qeveri e kryeministër për të cilin ata merren vesh dhe jo atë për të cilin populli ka votuar. Pasi, secila qeveri votohen në Kuvend duke siguruar shumicën parlamentare mbi 61 deputetë. Me fjalë të tjera nëse një parti siguron 59 deputet, dhe të tjerat sëbashku 61, partia me 59 deputetë mbetet në opozitë, pa çka se populli e ka zgjedhur që kjo parti të hyjë në qeveri e të qeverisë me vendin.

E treta, jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë nivelin e demokracisë gjatë procesit të zgjedhjeve. Ku edhe përkundër gjitha monitorimeve sërish ka parregullsi të panumërta, blerje votash e keqpërdorime një orë para mbylljes së vendvotimeve. Ndryshe, problem tjetër kryesor është edhe Kodi Zgjedhor që nuk po ndryshon ende, sa i përket hapjes së listave. Pra, në emër të vullnetit të lirë të popullit imponohen kandidatë të padëshiruar nëpër lista të partive, por që për hir të partisë votohet për dikë edhe nëse nuk pajtohesh e nuk e do si përfaqësues. Që i bie kryetari i partisë e imponon kandidatin te votuesit.

Megjithatë, idealen është gabim edhe ta synojmë sepse është e vështirë ta sigurojmë. Por, ajo që është tejet e rëndësishme është fakti që të ketë edhe kuptim e zbatim praktik shprehja që populli vendos se kush duhet të qeverisë me vendin. Mirëpo, që të vendos populli me plot kuptimin e fjalës duhet të plotësohet kushtet e lartpërmendura. /Zhurnal.mk

Të fundit