25/04/2024
6.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Arrestohet një zyrtar policor në veri – dëmtoi incizimet e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit

Inspektorati Policor i Kosovës kanë arrestuar sot një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.

Zyrtari policor është arrestuar për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit.

Inspektorati Policor në orët e pasdites përmes rrugëve operative kishte pranuar informacione se ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar dje operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se arrestimi i zyrtarit policor është kryer nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe ai është dërguar në mbajtje.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar sot në mbrëmje kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se nuk do të tolerohen shkelje të tilla.

“Zero tolerancë ndaj krimit, posaçërisht atij brenda radhëve të policisë! Për polici të pastër në shërbim të ligjit e qytetarëve! Për polic të ndershëm e profesional!”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Policia e Kosovës në bashkëpunimin me Doganën kanë zhvilluar të hënën një aksion në veri, ndërkaq gjatë kontrollit është zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur në treg ilegalisht.

Aksioni i policisë është ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë, përkatësisht në vendin e quajtur Izvor, ndërkaq më vonë u bë e ditur se gjatë këtij aksioni zyrtarët e Policisë dhe Doganës janë gjuajtur me armë.

Vlera e drogës së konfiskuar nga zbulimi i laboratorit kultivues të drogës, në Izvor afër kufirit me Serbinë, ka rezultuar të jetë gjashtë milionë euro, ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro.

Aksionin e policisë si rrallëherë e kishte përshëndetur edhe Lista Serbe, duke e quajtur profesional.

Të fundit