25/07/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Artan Grubi emërohet koordinator dhe monitorues i Korridorit 8

Artan Grubi i shtoi vetes pushtetin në seancën e fundit qeveritare të udhëhequr nga vet ai. Ministri i sistemit politik, në cilësinë e zëvendëskryeministrit mori kompetencat për koordinimin e projekteve infrastrukturore rrugore të Korridorit 8. Grubi është emëruar edhe koordinator për mbikëqyrjen e pikave kufitare me Shqipërinë dhe Kosovën. Qeveria nuk jep detaje shtesë përveç kumtesës me shkrim.

“Për shkak të rëndësisë për realizimin e projekteve të filluara për ndërtimin e rrugëve Shkup – Bllacë, Kërçovë – Bukojçan, hekurudhën Kërçovë – Lin, kontrollet e përbashkëta kufitare me Shqipërinë dhe Kosovën dhe realizimin e Korridori 8, Qeveria e caktoi Artan Grubin, për monitorimin e punimeve dhe për koordinimin e të gjitha aktiviteteve, me qëllim të realizimit të tyre në kohë”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.

Ndërkaq, kryeministri Kovaçevski tha se Grubi nuk i mori askujt kompetencat, por vetëm koordinimin.

“Nëse ju keni animozitet personale ndaj dikujt është çështja juaj! Zv. kryeministri Grubi gjatë dy viteve të fundit ishte drejtues i komitetit udhëheqës së Korridorit 8, dhe tani ky projekt ka të zgjedhur projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe vetëm se kanë nisur punimet, përkatësisht përgatitjet për punë në Korridorit 8”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Megjithëse ndërtimi i autostradave është kompetencë e Ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, koordinimin dhe monitorimin e punimeve e bën Grubi. Firmosjen dhe përgjegjësinë do të vazhdoj ta mbaj në këtë rast Bllagoj Bocvarski, kurse për gjithçka tjetër do të kujdeset Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive. Ministri i Transportit, sot iku prej kamerave dhe nuk deshi të prononcohet.

Derisa Prokuroria Publike dhe Komisioni Anti-Korrupsion po mbledhin dëshmi për dyshimet nëse ka shkelje ligjore në procedurë për projektin e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10, zëvendëskryeministri i parë Grubi nga ana tjetër, sipas ekspertëve po rrit fuqinë në Qeveri. Për, njohësit e fushës ky kapërcim i kompetencave krijon hapësirë të dyshohet për korrupsionin e Grubit me firmat që do të zbatojnë projektet infrastrukturore, duke iu lënë nën hije përgjegjësia Boçvarskit.

“Ky lloj i përzierjes së punëve bëhet kur duan të manipulojnë ligjin, kur ekziston hierarkia partiake në vend të përfaqësimit të institucioneve përkatëse….Duhet të mbaj burgun ai që nënshkruan! Në këtë rast do të firmos ndonjë shërbyes me rang më të ulët që do të thirret në përgjegjësi ose do të vijmë në situatë që Prokuroria Publike dhe organet tjera ligj zbatuese do të veprojnë në formën që do ta fshijnë përgjegjësinë e atij që duhet të jetë përgjegjës”, tha Mirjana Najçevska, analiste.

Qeveria më 8 mars nënshkroi kontratën me konzorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”, për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10 ndërkohë që në vijim është edhe ndërtimi i autostradës me Kosovën e cila po premtohet më shumë se një dekadë. /Alsat.mk

Të fundit