23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

ASHMAA të tërheq vendimin dhe donacionin prej 5 milionë denarëve ta ndajë në procedurë transparente, me pjesëmarrjen e më shumë mediave

Lidhur me vendimin e Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) për ndarjen e 5 milionë denarëve për organizatën jofitimprurëse mediatike Laboratori i Reporterëve Hulumtues (IRL), me qëllim siç thuhet në vendim mbështetjen e “zërave kritikë që raportojnë për tema që janë të rëndësishme për qytetarët dhe që do t’i ndihmojë ata të marrin vendime të informuara”, Shoqata Onlinemedia bën me dije se:

Ky është vendimi i parë me të cilin ASHMAA jep një donacion për një botues të një media online. Meqenëse për zbatimin e këtij vendimi pritet opinion pozitiv nga Ministria e Drejtësisë, theksojmë faktin se mediat online (portalet e internetit) dhe botuesit e tyre nuk kanë status të rregulluar në Ligjin për media, përkatësisht nën dritën e këtij ligji, ato ‘de jure’ nuk ekzistojnë. Transferimi i parave të shtetit te subjektet që ligji për mediat nuk i njeh si media kontestohet thelbësisht nga këndvështrimi i ligjshmërisë së një vendimi të tillë.

Për këto arsye, besojmë se ka një pengesë serioze ligjore për realizimin e donacionit nga ana e ASHMAA në favor të IRL-së, me qëllimin e deklaruar, pra të ndërlidhur me rolin e IRL-së si botuese mediatike dhe krijuese e produkteve mediatike.

Me qëllim që në të ardhmen të hiqen pengesat e tilla dhe të parandalohen probleme të tjera që dalin nga statusi i parregulluar i portaleve të internetit në Ligjin për Media, ftojmë Ministrinë kompetente të Shoqërisë Informative dhe Administratës si dhe Qeverinë, që urgjentisht të propozojnë ndryshime dhe plotësime të duhura në Ligjin për Media, siç propozon Shoqata “ONLINEMEDIA” prej më shumë se një viti.

Shoqata “ONLINEMEDIA” i bën thirrje ASHMAA të njohë faktin se në mediat vendore, si në të ashtuquajturat tradicionale ashtu edhe në mediat online, ka më shumë se një zë kritik, më shumë organizata mediatike që raportojnë për krimin, korrupsionin dhe tema të tjera me interes publik, duke ndihmuar qytetarët të marrin vendime të informuara.
Të gjitha ato media dhe organizata mediatike duhej të ishin informuar për synimin e ASHMAA për të dhuruar para shtetërore për këtë qëllim dhe të gjithëve t’u jepej mundësia, në një procedurë transparente dhe në bazë të kritereve të shpallura publikisht, të kërkojnë një mbështetje të tillë.

Shoqata “ONLINEMEDIA” beson se në këtë rast, duke favorizuar vetëm një portal (media), është shkelur parimi i shpërndarjes transparente të parave të shtetit në baza jodiskriminuese, pavarësisht nga supozimi i qëllimeve të mira të drejtorit të ASHMAA dhe Këshillit të këtij institucioni.

Theksojmë se me subvencionim arbitrar, favorizues dhe jotransparent të subjekteve individuale me paratë e taksapaguesve krijohet një bazë për praktikë korruptive në këtë veprimtari dhe për deformim të tregut mediatik.

Prandaj, Shoqata “ONLINEMEDIA” i bën thirrje ASHMAA që të ndërpresë procedurën e mëtejshme për dhënien e këtij donacioni, të tërheqë vendimin e saj dhe më pas të informojë publikisht të gjitha mediat për synimin e saj për të dhënë një donacion me qëllimin e përshkruar në vendim, si dhe me kriteret për aplikim për donacione. Vetëm atëherë, përmes një procedure të paraparë me ligj, ASHMAA do të mund të merrte një vendim të drejtë, se cilës organizatë mediatike apo cilave organizata do t’ia ndante donacionin në vlerë prej 5 milionë denarëve, nëse do vlerësohej se ka nevojë urgjente.

Shoqata “ONLINEMEDIA” dëshiron të theksojë edhe një herë se çdo transferim i parave të shtetit në media, themeluesit e të cilave janë kompani private tregtare ose organizata joqeveritare dhe fitimprurëse, duhet t’i nënshtrohet një zgjidhjeje sistematike, e cila do të sigurojë një nivel të lartë mosdiskriminimit, transparencë dhe llogaridhënie.

Të fundit