Të tjera lajme

Australia bëhet vendi i parë në botë që ndalon rrjetet sociale për të miturit

Australia është bërë vendi i parë në botë që ndalon plotësisht rrjetet sociale për fëmijët dhe adoleshentët nën 16 vjeç, me një ligj të ri që hyn në fuqi më 10 dhjetor dhe synon të mbrojë të rinjtë nga përmbajtjet e dëmshme dhe rreziqet e sigurisë online. Sipërmarrësit e mediave sociale do të jenë të detyruar të ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për verifikimin e moshës dhe për t’i pamundësuar të miturve qasjen, përndryshe rrezikojnë gjoba deri në rreth 50 milionë dollarë australianë.
“Për një javë, Australia do të bëhet vendi i parë në botë që ndalon rrjetet sociale për të miturit nën 16-vjeç. Adoleshentët do të jenë të shqetësuar, dikush do të përpiqet të kthehet në rrjet, dikush do të arrijë të gjejë rrugën e vet në teknologji dhe t’i mbajnë llogaritë e veta. Por, jam e bindur se shqetësimi afatshkurtër do të vlejë për përfitime afatgjate.”, – deklaroi ministrja e Komunikimeve të Australisë, Anika Uells.
Prindërit nëpër shkolla janë të shqetësuar për pasojat e këtij ndalimi, duke kërkuar këshilla nga shkollat për t’i udhëhequr fëmijët përballë ndryshimeve. Edhe adoleshentët shprehin mendimet e tyre për ndalimin dhe ndikimin që mund të ketë në jetën e tyre digjitale.
“Ata nuk e kuptojnë sa shumë pjesë të jetës sonë janë në rrjetet sociale dhe mendoj se duhet të pranojnë që bota ku ata u rritën është ndryshe nga ajo ku rritemi ne.”, – tha adoleshenti, Uill Barnes.
“Sa i përket ngacmimeve online dhe gjërave të tilla, kjo nuk do t’i zgjidhë ato probleme. Fëmijët do të vazhdojnë të përdorin rrjetet sociale. Fëmijët do të vazhdojnë të ngacmohen online.”, – tha një adoleshente.
“Mendoj se do të ketë ndikim mjaft të mirë. Do të më largojë pak nga ekrani, që në fakt është gjë e mirë.”, – u shpreh një adoleshent tjetër.
Platformat më të prekura janë Facebook, Instagram, TikTok, YouTube, Snapchat dhe X (më parë Twitter). Disa grupe për mbrojtjen e lirive digjitale kanë ngritur padi në Gjykatën e Lartë të Australisë, duke argumentuar se ligji mund të kufizojë të drejtën e të rinjve për komunikim. FARIJE DAUTI BAKIU

Të fundit