13/04/2024
13.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

BE po merr masa ndaj rrjetit social “X” për shkak të dezinformatave

Komisioni Evropian ka paralajmëruar më herët se “X” ka problem me dezinformimin më shumë se çdo platforme të madhe, transmeton Vërtetmatësi.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se dyshojnë se rrjeti social “X”, i njohur më parë si Twitter, ka shkelur rregullat e Unionit në disa fusha, përfshirë parandalimin e përmbajtjeve të paligjshme dhe dezinformatave.

BBC raporton se në një deklaratë për “X”, komisioneri evropian Thierry Breton tha se rrjeti social në pronësi të Elon Musk dyshohet gjithashtu për shkelje të detyrimeve të transparencës.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Johannes Bahrke tha se po hapeshin procedura formale kundër rrjetit social bazuar në disa shkelje të dyshuara të Aktit të Shërbimeve Digjitale – rregulla të reja të ashpra për kompanitë e mëdha të teknologjisë të prezantuara nga BE.

“Hapja e procedurës do të thotë se Komisioni tani do të shqyrtojë sistemet dhe politikat e “X” lidhur me disa shkelje të dyshuara. Nuk paragjykon rezultatin e hetimit”, tha Bahrke.

Këto janë procedurat e para zyrtare të nisura sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së.

Ligji parashikon detyrime shtesë të kompanive të mëdha për të mbrojtur përdoruesit nga përmbajtjet ekstreme. Nëse nuk e bëjnë, ata mund të përballen me gjoba të mëdha ose të pezullohen.

Në tetor, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, BE-ja njoftoi se po hetonte “X” për shpërndarje të mundshme të përmbajtjes terroriste dhe të dhunshme dhe gjuhës së urrejtjes.

Shqetësimet për natyrën e përmbajtjes së “X” janë intensifikuar që kur Elon Musk bleu platformën, pjesërisht për shkak se ai pushoi shumë nga moderatorët e saj. Komisioni Evropian ka paralajmëruar më herët se “X” ka problemin më të madh me dezinformimin e çdo platforme të madhe.

Nga “X” kanë thënë se bashkëpunojnë në procesin e nisur në BE, ndërsa në njoftim shtojnë se është e rëndësishme që “ky proces të mbetet pa ndikim politik dhe të ndjekë ligjin”.

“X është fokusuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë përdoruesit e platformës sonë, duke mbrojtur lirinë e shprehjes dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur drejt këtij qëllimi,” thanë nga “X” në një deklaratë.

Të fundit