23/05/2024
11.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

BE: Presim proces zgjedhor demokratik në Maqedoninë e Veriut më 8 maj

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, tha të shtunën se blloku pret të ketë zgjedhje demokratike dhe të rregullta në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, kur do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare njëkohësisht.

Kandidatja opozitare Gordana Silanovska-Davkova e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën bindshëm po pamjaftueshëm per ta shmangur rundin e dytë, ku më 8 maj do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

Geer tha se shpreson se pjesa e dytë e fushatës zgjedhore dhe zgjedhjet e dyfishta do të kalojnë në një frymë demokratike dhe paqësore, siç e vlerësoi OSBE/ODIHR rundin e parë në raportin e saj preliminar.

“Më e rëndësishmja është…në rundin e parë zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe demokratike. Dhe, ne shpresojmë shumë që në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare, të gjithë të angazhohen për ta përfunduar procesin përmes mesazheve pozitive në fushatë”, tha Geer.

Ai nuk i ka komentuar zërat se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale në rundin e dytë me qëllim që të mos arrihet pragu i daljes për 40 për qind, për ta dështuar procesin.

“Çdo çështjeje tjetër politike që lidhet me zgjedhjet, shpresoj ta kuptoni që nuk do ta komentoj në këtë fazë. Është në dorën e qytetarëve që të vendosin për të ardhmen e vendit”, shtoi ai.

Shtatë kandidatë garuan në rundin e parë, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar rundin e dytë.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave.

Njoftimet jozyrtare flasin për një bojkot të LSDM-së, por edhe të BDI-së, edhe pse nga partia që drejtohet nga Ali Ahmeti kanë thënë se do të dalin me një qëndrim se si do të veprojnë në rundin e dytë.

Nga koalicioni opozitar VLEN kanë thënë se nuk do të bëjnë thirrje për bojkot, pasi votuesit janë ata që duhet të vendin se për cilin kandidat do të japin votën e tyre.

Osmani dhe Taravari i fituan rreth 210.000 vota së bashku në rundin e parë dhe besohet se, në mungesë të tyre në rundin e dytë, votat e shqiptarëve mund të luajnë rol vendimtar në garën për president mes Davkovës dhe Pendarovskit, siç kishte ndodhur para pesë vjetëve./rel

Të fundit