Asnjë nga produktet me “çmim të garantuar” nuk do të ketë TVSH më shumë se pesë për qind, kumtoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Sipas tij, çmimi i këtyre produkteve ushqimore bazë mund që më tej vetëm të ulet, por assesi të rritet.
Siç thekson Bekteshi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën “Ekonomia e Maqedonisë – besimi po rritet”, pavarësisht rritjes së pritshme të TVSH-së “nuk ka asnjë shans që inflacioni të rritet në sektorin ushqimor”.
Ai ende plotësisht nuk e ka parë listën e produkteve për të cilat paralajmërohet rritje e tatimit mbi vlerën e shtuar, por nëse konstatohet se me të mbulohen edhe disa nga produktet ushqimore bazë me çmim të garantuar, kjo, theksoi ai, do të korrigjohet menjëherë.
“I garantoj qytetarët se nëse në listën e produkteve me rritje të TVSH-së ka gabime teknike nga punonjësit e Ministrisë së Financave, ajo nesër do të rishikohet. Sa i përket produkteve tjera, ky është vendim i Ministrisë së Financave dhe do të kemi mundësi ta shqyrtojmë më tej. Unë në mëngjes kam shqyrtuar disa produkte nga lista, gjatë ditës do ta lexoj të gjithë listën dhe nëse është e nevojshme nesër në seancën e qeverisë, si Ministri e Ekonomisë do ta shprehim qëndrimin tonë”, nënvizoi Bekteshi.
Në dukje të parë, shtoi ai, dy vendimet për “çmimin e garantuar” dhe për rritjen e TVSH-së mund të duken kontradiktore, por, siç theksoi, lista e produkteve me çmim të ngrirë është bërë në bazë të analizave dhe fakteve.
Sipas tij, ka hapësirë për ulje të mëtejshme të çmimit të produkteve ushqimore bazë deri në fund të nëntorit dhe dhjetorit dhe kjo, siç paralajmëroi do të ndodhë.
Sa i përket vendimit për pemët dhe perimet, ai theksoi se është ndryshuar.
Ministri është i bindur se sa i përket inflacionit, do të tejkalohet ajo që ka premtuar Qeveria deri në fund të vitit. Në vazhdimësi, çdo muaj do të ketë, siç tha ai, ulje të inflacionit, veçanërisht në pjesën e ushqimeve.