13/04/2024
13.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sektori civil tërhiqet nga hartimi i Kodit të ri Penal

Përfaqësuesit e shoqërive civile, pjesë e grupit të punës tërhiqen nga hartimi i Kodit të ri Penal. Kjo për arsye se sipas tyre, me modelin e ri penal po legalizohet paligjshmëria. “Blueprint” tërhiqet edhe nga pjesëmarrja në përpilimin e draftit të Ligjit mbi Konfiskimin e Pasurisë.

“Nuk duam të jemi pjesë e grupit që do të formulojë Kodin e ri Penal dhe ligji që i referohet konfiskimit të pasurisë në procedurë civile. Uroj që tërheqja jonë të përçohet si mesazh se shoqëria civile nuk guxon të keqpërdoret në grupet e punës. Pjesëmarrja jonë duhet të jetë dinjitoze dhe të kontribuojmë siç duhet. Kemi njohuri, kemi bërë analizat dhe ekspertizat të duhura”deklaroi Aleksandra Cvetanovska, Blueprint.

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal do të mbyllin dosjet në shumë procese gjyqësore mbi akuzat për shpërdorim me detyrën zyrtare dhe dëmtim ndaj buxhetit të shtetit gjatë prokurimeve publike. Akoma nuk ka një analizë se deri ku arrijnë dëmi ndaj shtetit, por dëmshpërblimi që do ta kërkojnë të akuzuarit e deritanishëm, do të ndikojë dukshëm në buxhet.

“Që ta dimë saktë se sa do të arrijnë harxhimet gjyqësore mbi çështjet e lidhura me procedurat gjyqësore, fillimisht duhet t’i presim aktvendimet mbi të njëjtat dhe gjykatat të japin vlerësimin për dënimin. Mund të parashikojmë se shumat do të jenë marramendëse dhe të gjitha do të paguhen nga buxheti i shtetit. Por të presim shfuqizimin e aktvendimeve dhe të shohim se për çfarë bëhet fjalë”, deklaroi Ivana Petkovska, Blueprint.

Nga Ministria e Drejtësisë e vlerësojnë të përshpejtuar veprimin e “Blueprint” duke shtuar se kontributi i sektorit civil është shumë i rëndësishëm për shkak të njohurive që i ka, eksperiencës dhe shkathtësitë që i posedon. Në paraqitjen e tij të fundit, ministri Lloga deklaroi se me Kodin e ri Penal do të rikthehen dispozitat mbi shpërdorimin me detyrën zyrtare cilësinë paraprake, gjegjësisht do të rikthehen dënimet që parashikonte Kodi i vjetër Penal./Alsat.mk

Të fundit