12/08/2022
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bilanci i mbrëmjes së dhunshme në Tiranë, 10 policë të plagosur, 60 tifozë të shoqëruar

Finalja e madhe e Ligës së Konferencës ka sjellë edhe përleshjet e para midis tifozëve të Feyenoordit dhe Romës me forcat e policisë në Tiranë.

Nga incidentet e shkaktuara mbrëmjen e së martës, kanë mbetur të plagosur 10 punonjës policie si dhe është dëmtuar një automjet i policisë.

Ndërsa, 60 shtetas nga grupet e tifozëve të të dyja skuadrave, janë shoqëruar në ambientet e policisë, nga të cilët 48 italianë dhe 12 holandezë.

Gjithçka nisi pas informacioneve se një grup tifozësh po i drejtoheshin stadiumit “Air Albania”, për t’u përplasur me tifozërinë e skuadrës tjetër.

Policia ka tentuar të ndalojë tifozët e Fejnordit në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata kanë goditur punonjësit me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Nga këto ngjarje, policia bëri thirrje për lokalet që të mbyllen në orën 23:00. /Euronews Albania/

Të fundit