02/05/2024
13.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Çulev: Në mars priten 100.000 formularë për dokumente udhëtimi, me procedurë të përshpejtuar do të jepen 650

(MIA) – MPB pret në mars t’i marrë 100.000 formularë për dokumente udhëtimi. Për momentin kanë ngelur 3.700 formularë, prej tyre 650 do të jenë për dhënien e dokumenteve të udhëtimit me procedurë të përshpejtuar, ndërsa të tjerat do të jepen sipas prioritetit. Deri në arritjen e dërgesës së re të formularëve sistemi për dhënien e dokumenteve të udhëtimit po mendohet të lihet jashtë funksionit, informoi ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev në konferencën e sotme për shtyp.

Ai e ripërsëriti se që nga momenti i marrjes së funksionit është ballafaquar me mungesë të dokumenteve personale. Më pas, tha, për kartat e identitetit apo letërnjoftimet dhe patentë shoferët është tejkaluar mungesa me angazhime mbinjerëzore dhe urgjenca deri tek kompania Veridos, por problemi me dokumentet e udhëtimit mbetet të ekzistojë edhe më tej si rezultat i planifikimit të keq, lëshimeve në punë dhe punën e pandërgjegjshme dhe vonimin me porosinë e dokumenteve të udhëtimit. Sipas tij, në pajtim me atë që kompania Veridos e ka kërkuar prej nesh porosia është dashur të bëhet gjashtë muaj nga dita e dorëzimit.

“Më 6 dhjetor 2019 në informacionin dorëzuar ministrit të Punëve të Brendshme nga ndihmësministri thuhet se në rezervë kanë qenë 88.100 pasaporta. Kur erdha unë si ministër shërbimet na informuan se kemi mungesë serioze të dokumenteve personale përfshirë edhe pasaportat dhe në informacione vetëm një muaj më vonë më 8 janar 2020 shërbimet më informuan se i kemi 27 580 pasaporta, ose rreth 50.000 më pak”, tha Çulev.

Kjo është, tha, rezultat i punës së pandërgjegjshme dhe joprofesionale dhe për momentin është duke u bërë hetim të përcaktohet përgjegjësia.

“Për momentin në dispozicion i kemi rreth 16.500 kërkesa të shtruara në procedurë të rregullt për dhënien e dokumenteve të udhëtimit, ndërsa me procedurë urgjente deri dje në dispozicion i kemi rreth 3.700 dokumente udhëtimi”, tha Çulev.

Ai shtoi edhe se të shtunën ka kontaktuar edhe me Ambasadën gjermane, ndërsa ka propozuar edhe konstatime në Qeveri për të gjetur modus apo metodologji për tejkalimin e gjendjes por, tha, nga Qeveria nuk ka pasur mirëkuptim dhe e ka kthyer lëndën në ingerencat e MPB-së.

Së bashku me komitetin drejtues të MPB-së i cili vendos për këto probleme dhe me zëvendësministrin plotësues dje e kanë shqyrtuar problemin për zgjidhjet e mundshme dhe kanë konstatuar se sistemi për dhënien e dokumenteve të udhëtimit duhet të vihet jashtë funksionit, gjegjësisht të ndalohet aplikimi për dhënien e pasaportave me procedurë të rregullt dhe urgjente.

“Gjatë ditës së sotme sërish do të tentojmë për zgjidhjen e problemit, ndërsa në MPB tashmë jemi nga fundi për përcaktimin e metodologjisë. Prioritet do të kenë të gjitha ato raste ku është e domosdoshme dhënia e pasaportës për shkaqe shëndetësore”, tha Çulev.

Theksoi se ka biseduar edhe me kryeministrin teknik Spasovski i cili personalisht ka intervenuar tek autoritetet gjermane për tejkalimin e problemit, ndërsa meqë bëhet fjalë për problem shtetëror i cili i tejkalon mundësitë e MPB, sërish sot nga Qeveria do të kërkoj ta adresojë problemin që të tejkalohet.

Në pyetjen e gazetarëve tha se të gjithë qytetarëve të cilët paraprakisht kanë caktuar me procedurë urgjente, ndërsa janë rreth 650 kërkesa, do t’u jepen dokumente udhëtimi, por jo edhe për ato kërkesa për dhënien e dokumenteve të udhëtimit me procedurë të rregullt.

Porosia e radhës nga Veridos në pajtim me marrëveshjen e kontraktuar është 24 marsi, por nga kompania kanë premtuar se ky afat mund të shkurtohet prej 10 ditë deri në dy javë, por kjo nuk është zyrtarizuar.

Porosi ka edhe për formularë për dokumente të reja udhëtimi me emrin e ri kushtetues të cilat duhet të vijnë nga shtatori. shk/

https://www.facebook.com/MediumskaInformativnaAgencija/videos/145437546543155/

Të fundit