05/10/2024
15.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dështon hapja e “Mehmet Pash Derallës”

Hapja e Qendrës për Kulturë “Mehmet Pash Deralla”, ka krijuar jo pak përplasje mes këshilltarëve në komunën e Tetovës. Përderisa ky propozim nuk kaloi në këshillin e komunës së Tetovës, pasi që nuk u përkrah nga partneri i koalicionit të Lëvizjes Besa në Tetovë VMRO-DPMNE-ja. Por, ky propozim nuk është përkrahur as nga LSDM-ja e as nga këshilltarët e Partisë Demokratike Shqiptare. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, në momentin e votimit të kësaj pike nuk hyrën në sallë, ndërsa u kthyen kur u erdhi radha pikave tjera.

Kryetari I këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi, është shprehur se nuk ka pritur që kjo pikë të përkrahet nga ana e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, por është habitur me qëndrimin e këshilltarëve të BDI-së, të cilët nuk e përkrahën këtë vendim. Mosvotimi i kësaj qendre nuk duhet të jetë një paralele për shkak të mos votimit të kryeministrit të parë shqiptarë nga partitë opozitare.

“Jo gjithmonë kemi qëndrime të përbashkëta me VMRO-DPMNE-në edhe në nivel nacional edhe në nivel lokal. Ata kanë qëndrimet e tyre dhe ne kemi qëndrimet tona. Sa i përket BDI-së, ata mbi dhjetë vite kanë qeverisur me VMRO-DPMNE, në këshillin e komunës,tani janë në koalicion me Të Majtën në Veles. Këtu nuk bëhet fjalë për vendim politik, por për një institucion në sferën e kulturës dhe do të përfshijë emrin e gjeneralit shqiptar Mehmet Pash Derallës”, deklaroi Durmishi.

Por, më tej ai është pyetur se a ka kuptim koalicioni me një parti i cili gjithnjë është kundër interesave të shumicës shqiptare, kur dihet se partia e Mickoskit, nuk përkrah edhe ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë.

“Prandaj, pikërisht për këtë ne kërkojmë mbështetjen e këshilltarëve shqiptarë pasi që këshilli përbëhet nga 31 këshilltarë dhe 25 këshilltarë janë shqiptarë. Çdo herë kur është në pyetje interesi i qytetarëve shqiptarë në Tetovë, ne kërkojmë mbështetje nga këshilltarët shqiptarë, por fatkeqësisht nuk kemi gjetur mirëkuptim”, tha Durmishi.

Në ndërkohë, këshilltarët e BDI-së, këtë propozim nuk e përkrahën me arsyetimin se nuk kanë materiale të mjaftueshme dhe se dyshojnë se kjo bëhet me qëllim që të rehabilitohen militantët partiak. “Në asnjë moment, këshilltarët e BDI-së nuk janë kundër Qendrës kulturore, por ne jemi kundër keqpërdorimit të mjeteve të qytetarëve. Përmes kësaj Qendre kulturore, vetëm 3 muaj para zgjedhjeve, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, vendosi që ta shpërblej të besueshmin e tij, Arsim Sinanin, me një post të drejtorit dhe të ofroj disa vende të punës për militantët e tij që u premtoi shumë por nuk u dha asgjë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga këshilltarët e BDI-së. Qendra për Kulturë “Mehmet Pash Deralla”, do të jetë tek zyrat e ish Radio Tetovës dhe do të jetë falas për qytetarët. Nga pushteti lokal në Tetovë shpresojnë se ky vendim do të kalojë në një nga seancat e radhës.

Të fundit