Partitë politike ende nuk po arrijnë të gjejnë konsensus për Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa dallimet më të mëdha vazhdojnë të jenë rreth mënyrës së votimit të diasporës. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e mbështeti mundësinë e votimit elektronik, me kusht që të sigurohen identifikimi i besueshëm i votuesve dhe fshehtësia e votës. Ndërkohë, LSDM paralajmëron për keqpërdorime të mundshme, ndërsa VMRO-DPMNE e akuzon opozitën për bllokimin e reformave që lidhen me Kodin Zgjedhor.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u bëri thirrje koordinatorëve të grupeve parlamentare që të tejkalojnë dallimet dhe të arrijnë kompromis për Kodin Zgjedhor.
Në një takim informues me gazetarët, Gashi theksoi se votimi elektronik ka qenë pjesë edhe e programit të partisë së tij politike, Alternativa.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, ai theksoi se ky model do të kontribuonte në barazi më të madhe të qytetarëve gjatë votimit.
Ai shtoi se synimi është të sigurohet një Kod Zgjedhor që u mundëson qytetarëve të votojnë lirshëm dhe ta shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike përmes zgjedhjeve.
Nga LSDM njoftuan se VMRO-DPMNE, me ndryshimet e propozuara për votimin e diasporës, hap hapësirë për keqpërdorime të mundshme. Nga LSDM-ja thonw se ideja fillestare për votim elektronik të diasporës është zëvendësuar me propozimin për votim me postë, i cili, sipas partisë, nuk garanton mekanizma të mjaftueshëm kontrolli dhe mbrojtjeje të vullnetit zgjedhor.
Kryeministri Hristijan Mickoski ditëve të fundit ka ftuar vazhdimisht opozitën në bisedime për të gjetur një zgjidhje për votimin e diasporës, duke theksuar se ai nuk duhet domosdoshmërisht të jetë elektronik, por mund të realizohet edhe përmes postës. Ai shpreson se pas 15 korrikut partitë do të arrijnë të tejkalojnë mosmarrëveshjet lidhur me Kodin Zgjedhor.
Hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare nga viti 2024 tregoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), për organizimin e zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare, ka lidhur 22 kontrata për prokurime publike me vlerë të përgjithshme prej rreth 3,47 milionë euro, deri më 20 maj 2024.
Analiza tregon se shpenzimet për organizimin e votimit të diasporës kanë qenë më të larta se mjetet e shpenzuara për shtypjen e fletëvotimeve për të gjithë votuesit në vend, duke hapur edhe më shumë diskutimin për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e modelit aktual të votimit jashtë shtetit.







